Dita e dytë e vaksinimit masiv/Manastirliu me të moshuarit: Drejt fitores, mbi 10 mijë vaksinime çdo ditë
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë paradites së sotme ka takuar disa prej të moshuarve të cilët po prisnin në radhë për të marrë dozën e parë të vaksinës anti-covid, në sheshin Skënderbej. ”Ky është një hap përpara drejt fitores, jemi në kilometrin e fundit”, tha Manastirliu duke i këshilluar të moshuarit të vazhdojnë të kujdesen për veten, duke zbatuar masat anti-covid. Nga ana tjetër, ministrja theksoi se procesi po shtrihet në të gjithë vendin.
”Vaksinimi vijon në të gjitha qytetet, ne jemi shtrirë në mënyrë kapilare në të gjitha qendrat shëndetësore, por edhe në qendrat e vaksinimit të përqendruar në të gjitha rrethet. Ne dje kemi arritur të vaksinojmë 11487 persona dhe kemi arritur atë targetin e vendosur dhe sigurisht objektivi ynë është të kalojmë 10 mijë vaksinime në ditë. Në tërësi kemi mbi 78 mijë vaksinime të kryera, procesi po ecën shpejt, sidomos në qendrat e vaksinimit të përqendruar”, -tha Manastirliu.
Një e moshuar i tha ministres Manastirliu se “sot që po bëj vaksinën kam edhe ditëlindjen, ju falënderoj shumë dhe jam shumë e kënaqur”. Një i moshuar shprehet se vaksinimi është një gjë e madhe që po ndodh në Shqipëri.
Në Shqipëri nisi dje vaksinimi masiv për popullsinë e grupmoshës mbi 70-vjeç. Në të gjithë vendin synohet të kryhen rreth 10 mijë vaksinime në ditë. Sipas grupmoshave, bazuar në planin kombëtar të vaksinimit, vijohet fillimisht me grupmoshën +85 vjeç dhe +80 vjeç të cilët do të vaksinohen në qendrat e tyre shëndetësore, ndërsa grupmosha +75 vjeç dhe duke zbritur tek ajo +70 vjeç, do të vaksinohen në qendrat e vaksinimit të përqendruar. Dje në ditën e parë të vaksinimit masiv janë kryer 11,487 vaksinime në të gjithë vendin.