Dita e parë e Ramazanit, Naçi: Esenca është të frenohemi nga e keqja ndaj tjetrit
Sot besimtarët myslimanë nisën agjërimin por si pasojë e Covid-19, këtë vit agjërimi nuk do të jetë si vitet e tjera. Besimtarët nuk do të falin dot namazin e teravive, do të privohen nga konsumimi i vaktit të iftarit bashkërisht, disa nga traditat që ndiqen më shumë këtë muaj. Elvis Naçi gjatë fjalës së tij në emisionin “Ftesë në 5″, foli mbi të mirat e agjërimit, dhe se çfarë duhet të bëjnë besimtarët këto ditë.
“Ky agjërim është si asnjëherë tjetër, por koronavirusi ka krijuar disa specifikat e saj. Unë po bëja llogaritë me Frideusin djalin, ai ka agjëruar shumë i vogël, dhe ndërkohë po llogarisja veten time, bëhen më shumë se 20 vite që agjëroj. Më shumë vite kam në jetë me agjërim, sesa pa agjërim. Secili prej nesh mundohet të japi kontributin e tij tek fëmijët. Kur je i agjërueshëm ti e vlerëson më shumë agjërimin. Për shumë persona kjo është gjë e re, por agjërimi mund të ndihmojë në aspektin psikologjik gjatë kësaj kohe, në këtë dimension është relaksues kam përshtypjen. E vërteta është që ne burrave nuk na jepet nga gatimi. Ne ku e shtron tryezën bashkëshortja është munduar, ne veç se ta falenderojmë gjejmë gjëra të vogla dhe nisim qortimin. Duhet t’ia dimë për faleminderit sepse ato na bëjnë gatime të mira. Burra pranojini ushqimin dhe falenderoni gratë tuaja. Simboli i agjërimit. Nuk ka vlerë agjërimi nëse nuk lë fjalën e keqe, paragjykimin dhe fjalën e keqe ndaj tjetrit. Esenca e agjërimit është të frenohemi nga e keqja ndaj tjetrit. Është një problem agjërimi këtë vit, sepse ramazani s’ka atë aspektin individual, iftari nuk bëhet me shumë njerëz. Ne bënim iftare me 500 njerëz, njeriu është një çështje sociale, Zoti të na e largojë këtë situatë sa më shpejt, janë dy trauma të mëdha tërmeti dhe koronavirusi, lus Zotin sa më shpejt dhe uroj ditë të bukura larg koronavirusit. Shpresoj që Shqiptaria në të ardhmen të jetë më e mirë”.
Fatma, zbuloi më shumë rreth ushqimeve që përgatit gjatë këtij muaji. Po ashtu bëri thirrje që njerëzit të bëjnë bamirësi dhe nëse s’kanë mundësi, të paktën të dhurojnë buzëqeshje.
“Me thënë të drejtën këtë vit është pak ndryshe. Ne në shtëpinë tonë do të mundohemi të kënaqim fëmijët. Nuk diskutohet që fëmijët do të na kushtëzojnë shumë. Patate, pilaf këto ushqime ato kanë qejf. Por mamaja e Elvisit po ndihmon me ato gatimet e kohës së tyre që do të na zbukurojnë sa më shumë darkën. Elvisi nuk thotë asnjëherë që nuk e pëlqej (për ushqimin), nuk ka ankesa mbrapa. Sipas teologëve duhet të marrim ushqime energjike, një ndër të është hurma. Fëmijët kanë kërkuar nga gjyshja të bëjë byrek me gjizë. I bëj thirrje njerëzve të ndihmojnë të varfëritë, me aq sa ka mundësi. Edhe nëse nuk kanë mundësi të paktën t’i dhurojnë një buzëqeshje. Thirrja ime është të ndihmojmë ato që kemi afër me aq sa kemi mundësi”.