Dita e Verës, mijëra qytetarë mbushin rrugët në Tiranë dhe Elbasan (FOTO)

Festa e Ditës së Verës ka mbledhur qindra shqiptarë nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët e kanë zgjedhur Elbasanin si qytetin e festës. Si çdo 14 mars, shfaqja e organizuar nga bashkia në sheshin “Gensher” ka nisur me karnavalet e përgatitura nga nxënësit e shkollave 9-vjeçarë, të cilët përmes veshjeve të tyre kanë përcjellë mesazhe të ndryshme sensibilizuese.  Pas festës që ka pushtuar qytetin, banorët e Elbasanit kanë shkuar të festojnë me njerëzit e dashur në shtëpitë e tyre. Por edhe restorantet në këtë ditë që simbolizon ardhjen e pranëverës kanë qenë të tejmbushura. 

Natën e së premtes, në sheshin “Gensher” u zhvillua një koncert, ku kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini uroi të gjithë qytetarët.

Edhe Kryeqyteti ka pritur plot atmosferë festive “Ditën e Verës”. Qytetarët kanë mbushur rrugën në bulevardin kryesor, shëshin “Skënderbej” dhe atë “Nënë Tereza”, ku qeveria dhe bashkia e Tiranës kanë organizuar festimet në dy axhenda të ndara. Në orën 10 të mëngjesit aktivitetet kanë nisur me performancën e Bandës Frymore të Ushtrisë, më pas Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, instrumentistëve të Liceut Artistik “Jordan Misja” apo Teatrit Kombëtar të Kukullave. Të shumta kanë qenë edhe aktivitetet sportive për të gjitha moshat nga minifutbolli, danci sportiv, shahu etj. 

Erion Veliaj, Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë: Shpresoj që të sjellë mbarësi për të gjithë shqiptarët dhe më vjen mirë që kemi ditë si e sotmja ku kuptojmë që ka më shumë në jetë se sa thjesht politikë dhe sherre banale. Njerëzit janë këtu më të shumtë, njerëzit duan qetësi. 

Nora Malaj, zv.Ministre e Arsimit dhe e Sporteve: Fjalët e tepërta janë fukarallëk, thotë populli. Mendoj që dita e sotme në aspektin psiko-social është shumë e rëndësishme, nxjerr energjitë negative dhe merr energji pozitive.
Ndonëse dekori që zbukuron kryeqytetin në ditën e verës ka qenë i pandryshuar edhe këtë vit, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh përgjatë sheshit nënë tereza deri në digën e liqenit si tapetin e luleve, panairin eko, performanca artistike, stenda për promovimin e kulinarisë si dhe shoë akrobatik. 

Pasi ka uruar të parë qytetarët e Elbasanit, Lulzim Basha ishte i pranishëm edhe në festimet në kryeqytet. “Dua të uroj të gjithë qytetarët e Tiranës, në emrin tim si kryetar i bashkisë, gëzuar Ditën e Verës! Ditën e luleve! Dua të përsëris urimin tim për të gjithë shqiptarët, siç e nisa sot në mëngjes nga kryeqyteti i festës, që është Elbasani, le të jetë kjo një ditë shprese, një ditë e shpresës për një ndryshim pozitiv në jetën e çdo qytetari”, deklaroi kreu i bashkisë, Lulzim Basha.  Ata që duket se e kanë shijuar më shumë këtë ditë janë më së shumti fëmijët, të cilët nxituan të uronin Ditën e Verës. 

SHKARKO APP