Dita e Verës në Tiranë, ja aktivitetet e parashikuara prej Bashkisë

Dita e Verës do të festohet edhe në kryeqytet. E kthyer tashmë në traditë, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh që do të zgjasin gjatë gjithë ditës së 14 marsit.

Konkretisht, nënkryetari i saj Abaz Hado thotë se festa do të përqendrohet në qendër të Tiranës, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në sheshin Nënë Tereza, në parkun Rinia dhe në disa rrugë të ish-Bllokut.

“Është një moment shumë i rëndësishëm e i bukur, kur fëmijët dhe banorët e Tiranës, por edhe gjithë Shqipërisë, do të festojnë në mënyrë fantastike. Gjithë grupimet shoqërore do të jenë këtu sepse ka gjëra të bukura që i japin Tiranës atë ditë që shënon kalimin nga njëra stinë tek tjetra. Do të performojnë fëmijë dhe do ngrihen balona, pastaj festimet do vijojnë përgjatë gjithë bulevardit me performanca të ndryshme”, deklaron Hado.

Ajo që do të jetë ndryshe këtë vit për Ditën e Verës në Tiranë sipas tij, është hapja e panairit të produkteve bio. Ku si pjesë e programit festiv, ky panair, sipas ideatorëve në bashki, ka për qëllim promovimin e produkteve të zonave përreth dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve të të gjitha njësive administrative të Tiranës.

SHKARKO APP