-Kur Ben Blushi ngrinte probleme parimore në PS dhe kritikonte hapur kryeministrin Rama, këta që gjuajnë sot me gurë të vegjël si lojë kalamajsh asokohe i mbanin çantën Edi Ramës ose i lidhnin lidhëset e këpucëve, si “pionerët e Enverit”. Njeri i thoshte “lider ballkanik”, tjetra “Skënderbe” dhe tjetri “Udhëheqësi”.-
Humbja e Aleksandër Vuçiçit përballë lëvizjes studentore në Serbi ka nxitur reagime edhe nga figura të Partisë Socialiste në Shqipëri. Por përtej urimeve për ndryshimin në Beograd, pyetja është se çfarë mesazhi duan të përcjellin për Tiranën.
Ditmir Bushati ka folur për skema të ngjashme që kanë hedhur rrënjë edhe në Shqipëri. Elisa Spiropali ka kujtuar fuqinë e qytetarëve për të ndryshuar pushtete që pretendojnë përjetësinë. Erion Veliaj ka shkruar se lëvizjet studentore shënojnë fundin e një bote politike. Këto deklarata mund të lexohen si mesazhe ndaj Edi Ramës, por ky mbetet interpretim politik: autorët duhet ta sqarojnë vetë adresën e tyre.
Nëse e kanë me Ramën, përse nuk ia thonë emrin?
Nëse mendojnë se kryeministri ka konsumuar qeverisjen, se nuk dëgjon më qytetarët apo se duhet të largohet, le ta deklarojnë hapur. Nëse kërkojnë dorëheqjen e tij, le ta kërkojnë. Nëse propozojnë një drejtim tjetër për Partinë Socialiste, le të paraqesin alternativën.
Integriteti politik provohet kur merr përgjegjësinë për atë që mendon. Një status që lejon disa interpretime të jep mundësinë të dukesh kritik sot dhe ta mohosh kritikën nesër. Por qytetarët nuk kanë detyrë të zbërthejnë kode për të kuptuar qëndrimin e një politikani.
Bushati, Spiropali dhe Veliaj kanë pasur përgjegjësi të rëndësishme në pushtetin socialist. Prandaj, nëse shohin probleme të thella në mënyrën si drejtohet vendi, publiku ka të drejtë t’u kërkojë edhe një shpjegim për përgjegjësinë e tyre: çfarë kanë kundërshtuar, kur kanë folur dhe çfarë kërkojnë të ndryshojë tani?
Është e lehtë të përshëndesësh ndryshimin përtej kufirit. Kostoja politike fillon kur shpreh qartë qëndrimin për pushtetin tënd dhe drejtuesin e partisë sate.
Natyrisht, askush nuk është i detyruar të kërkojë dorëheqjen e Ramës. Mund ta mbështesë, mund të kërkojë korrigjimin e qeverisjes apo të kundërshtojë vetëm vendime të caktuara. Secili prej këtyre është qëndrim legjitim. Por duhet thënë qartë, që publiku ta gjykojë.
Nëse kërkoni largimin e Edi Ramës, thuajeni me emër dhe merrni përgjegjësinë politike. Nëse kërkoni vetëm ndryshime në qeverisje, tregoni cilat. Shqipëria ka nevojë për qëndrime të qarta, ndërsa socialistët meritojnë të dinë çfarë përfaqëson secili brenda partisë së tyre.
Mos u fshihni pas fjalëve dhe goditjeve indirekte, por flisni hapur: Edi, largohu!
Sepse frika për të folur hapur e drejt krijon përceptimin e publikut se këta jo vetëm nuk guxojnë, por struken qosheve sa shikojnë kryeministrin. Një kishte PS, dikur, që doli e foli hapur dhe pa e çarë kokën për pasojat. Ishte Ben Blushi. Të tjerët vetëm hedhin gurë, por jo ide, nuk ka guxim për t’i dalë ballë për ballë kryeministrit. Hedhin gurë mbi Ramën, por fshehin dorën.
