Divjakë, bastet e paligjshme çojnë në pranga pronarin e lokalit dhe kamarierin
Një operacion i Policisë së Fierit ka zbuluar një ambient që dyshohet se përdorej për organizimin e lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme në fshatin Karavasta e Re, në Divjakë. Aksioni, i koduar “Game Over”, përfundoi me arrestimin e pronarit të lokalit dhe një kamarieri që punonte aty.
Sipas policisë, në pranga u vunë shtetasit A. Ç., 52 vjeç, pronar i biznesit, dhe E. Ç., 35 vjeç, i punësuar si kamarier. Gjatë kontrolleve të ushtruara në lokal, efektivët dyshojnë se në ambientet e tij organizoheshin baste të paligjshme nëpërmjet kompjuterëve dhe telefonave celularë.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, pas informacioneve se në disa ambiente zhvilloheshin aktivitete të jashtëligjshme të lojërave të fatit.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi pesë njësi kompjuterike, një DVR, një laptop dhe pesë telefona celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për organizimin dhe administrimin e basteve sportive online.
Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se kamarieri 35-vjeçar ishte i punësuar në kundërshtim me ligjin, pasi nuk ishte i regjistruar pranë institucioneve përkatëse. Në celularin e tij u konstatuan faqe dhe aplikacione që, sipas policisë, ngjanin me platformat e basteve sportive.
Të gjitha pajisjet elektronike janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohen ekspertizës për të dokumentuar veprimtarinë e dyshuar kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe për të verifikuar nëse në këtë aktivitet janë përfshirë edhe persona të tjerë. Policia bën me dije se kontrollet ndaj aktiviteteve të paligjshme të lojërave të fatit do të vijojnë edhe në zona të tjera.
KOHA JONË SONDAZH

