Djegia e mbetjeve në landfillin e Elbasanit, ekspertët: Rrezik kancerogjen për banorët

Kodra e mbetjeve në Elbasan është përpirë nga flakët, dhe në qytet mbërriti një grup ekspertësh për të matur ndotjen e shkaktuar në mjedis nga djegia e mbeturinave. Një grup i specializuar nga Co-PLAN dhe Milieukontakt monitoruan situatën në terren dhe vlerësuan ndikimet e zjarrit në cilësinë e ajrit.

”Matjet në terren treguan përqendrime të larta të ndotësve të ajrit, që paraqesin një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe mjedisin përreth”,-thotë organizata e mbështetur me financim dhe ekspertizë ndërkombëtare.

Përqendrimet e ndotësve të ajrit të regjistruara vetëm pak orë pas shpërthimit të zjarrit rezultuan mbi normat e pranuara nga BE dhe me pasoja serioze për qytetarët. Siç thonë ekspertët, në mjedis, një ditë pas zjarrit niveli i dioksidit të karbonit (CO₂) ishte rreth 521-794 ppm.

Raporti dokumenton edhe praninë e një elementi, të njohur si VOC, lëndë organike që janë pezull në ajër, me vlerë deri në 6,800 µg/m³. Njerëzit që thithin të tillë gaz, kanë irritime, dhimbje koke, rrezik kancerogjen. Co-plan, një Institut për Zhvillimin e Mjedisit që bëri këto matje, kryen vazhdimisht monitorime të ajrit në vend, me mbështetje financiare të huaj, kryesisht suedeze.

SHKARKO APP