Dogji barishtet në tokën e tij dhe shkaktoi zjarrin në Drizë të Fierit, arrestohet 20-vjeçari
Policia ka arrestuar një 20-vjeçar për zjarrin që përfshiu fshatin Drizë në Fier. I riu N. Jaso kishte ndezur zjarr në tokën e të atit për të djegur disa barishte, por flakët dolën jashtë kontrollit.
Njoftimi:
Ndezi zjarr në tokën në pronësi të babait të tij, në fshatin Drizë, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në territorin e disa fshatrave, reagimi në kohë i Policisë çoi në identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të zjarrvënies.
Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të zjarrit të rënë në fshatin Drizë, Fier, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar, shtetasin N. J., 20 vjeç, banues në Drizë.
Ky shtetas dyshohet se, më datë 05.07.2026, në tokën në pronësi të babait të tij, ka ndezur zjarr për djegien e disa barishteve, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe në fshatin Drizë dhe në fshatrat përreth, ku u shkaktuan dëme materiale.
Shërbimet e Policisë evakuuan 12 familje, banesat e të cilave u rrezikuan nga përhapja e flakëve.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të Policisë, shërbimeve zjarrfikëse, grupeve të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS) – Njësia Fier, si dhe helikopterëve të Forcave të Armatosura, u bë e mundur shuarja e flakëve, pa pasoja për jetën e qytetarëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.
Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke u garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.
KOHA JONË SONDAZH
Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?
Results
Vota totale: 5024

