Dokumentat e pronave në Arkiv, flet Bido: Tani jua sjellim me postë, sapo morëm edhe defterët nga Turqia

“Të gjithë ata që kanë nevojë për arkivat, të mos kenë nevojë të vijnë këtu. Një qytetar nga Konispoli apo Tropoja, mjafton të shkojë në filialin më të afërt të Postës Shqiptare, bën aplikimin, bashkangjitur me dokumentet përkatëse. Aplikimi vjen te ne dhe ne i kthejmë përgjigje, kudo që ata të jenë, në Tropojë apo Konispol.”

Kështu është shprehur Drejtori i përgjithshëm i Arkivit Qendror, Ardit Bido, në një intervistë për panorama, ku ai sqaron ndër të tjera sesa u lehtësohet tani shërbimi qindra qytetarëve lidhur em pronat.

Bido tregon në intervistën e tij lidhur me dixhitalizimin e arkivave se sapo kanë ardhur nga Turqia dhe defterët e vjetër.

Swiss Digital Desktop Reklama

Z. Bido, katalogimi online u shërben vetëm studiuesve, apo edhe të interesuarve për të gjetur dokumente pronësie?

Swiss Digital Mobile Reklama

Pa dyshim që për të gjithë, por më parë më lejoni të bëj një parantezë. Arkivi i përhershëm, siç është Arkivi Qendror Shtetëror, që është nën varësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, nuk është në shërbim të kërkesave social­juridike të qytetarëve. Koncepti i arkivave të përhershëm është që një dokument mbërrin në arkiv, kur operativiteti i tij ka vdekur. Kur nuk ka më vlerë për njeriun, “fle në parajsën” e vet, që është arkivi i përhershëm, i cili vlen për studim. Thënë kjo, normaliteti i shtetit tonë në këta 27 vjet dhe më herët në periudhën e komunizmit, ka sjellë që qytetarët t’i drejtohen arkivit për kërkesat social­juridike, si pronat, vjetërsi pune dhe një nga gafat e fundit të arkivit, për amza shkollore. Pra, të gjitha këto janë mish i huaj për një arkiv të përhershëm.

E megjithatë, ky është një shërbim i domosdoshëm, çfarë zgjidhjeje i keni dhënë?

Ne i kemi dhënë zgjidhjen më optimale. Të gjithë ata që kanë nevojë për arkivat, të mos kenë nevojë të vijnë këtu. Një qytetar nga Konispoli apo Tropoja, mjafton të shkojë në filialin më të afërt të Postës Shqiptare, bën aplikimin, bashkangjitur me dokumentet përkatëse. Aplikimi vjen te ne dhe ne i kthejmë përgjigje, kudo që ata të jenë, në Tropojë apo Konispol. Arkivi për ta nuk është dëshirë, por nevojë, dhe ne duhet t’ia japim këtë shërbim. Ndërsa salla e studimit është për ata që e kanë dëshirë arkivin. Pa dyshim që katalogu online mund të shërbejë për kërkesat social­juridike të qytetarëve, por në momentin që procedura është e thjeshtë, ata kërkojnë dhe ne i gjejmë për ta. Sa kërkesa të tilla vijnë në ditë? Kërkesa social­juridike janë 70­80 në ditë, por jo vetëm për pronat, por edhe kërkesa të tjera, për të cilat jepet brenda 23 ditësh.

Megjithatë do të keni sërish “barrën” e ruajtjes së dokumentit origjinal, a ka ndonjë projekt në këtë drejtim, pasi e dimë se kushtet nuk janë optimale…?

Ruajtje është edhe dixhitalizimi, ruajtje është edhe mikrofilmimi. Sa i përket vendruajtjes, është gangrena më e madhe që ka Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe gjithë arkivave të përhershme në Shqipëri, por e ngjashme edhe me vendet e rajonit (Maqedoni, Serbi, Bullgari). Ne kemi bërë projektin bashkë me Ministrinë e Brendshme, po bëjmë projekt­preventivin, për të parë mundësitë e financimit të një godine, që do t’u përgjigjet të gjitha kërkesave ligjore për ruajtjen e dokumenteve. Dhe ne jemi në shkelje të plotë flagrante të ligjit. Unë jam në shkelje flagrante të ligjit, por nuk kam se ç’bëj në mungesën e mjeteve financiare të nevojshme për të tejkaluar këtë ngërç. Shpresoj që drejtoria e inspektimit të mos më gjobisë për këtë shkelje.

Një vit më parë, ju keni marrë një sasi të konsiderueshme dokumentesh nga Arkiva e Turqisë, vijon marrëveshja?

Po, erdhën defterët e 57 tahrireve të arkivave turke. Kemi nënshkruar një marrëveshje të re me to, e cila tashmë do ta shtojë numrin e dokumenteve me ato të 4 vilajeteve gjatë periudhës osmane. Në tetor të këtij viti nis projekti për dizhitalizimin e arkivave osmane dhe brenda një periudhe njëvjeçare do të dixhitalizohen ato dokumente që janë në interes të memories sonë kolektive në arkivin e ishPerandorisë Osmane dhe të atyre që gjenden këtu, për të bërë shkëmbimin përkatës. Është një financim i jashtëm nga ana e TIKA­s dhe do të shfrytëzohen burime njerëzore të ardhura nga Turqia, që do t’i bëjnë të aksesueshme këto dokumente.

Me gjasë këto dokumente do të qartësojnë edhe kaosin me pronat?

Pa dyshim. Duhet të kuptojmë një element shumë të rëndësishëm. Nëse sot ne qahemi se nuk gjejmë dot pronat në vitet ’30, se çfarë është bërë me mjedisin nga qeveria e epokës në vitet ’30, për arsye studimore, çfarë është bërë me bujqësinë, sepse është ruajtur vetëm 70% e arkivave të asaj periudhe. Nëse ne nuk bëjmë ndryshime rrënjësore, nipërit tanë do na zënë me gurë për periudhën në të cilën ne jemi, nga vitet ’90 deri më sot. Ka ministri në këtë vend që nuk kanë dorëzuar dokumentacion që në vitin 1991 dhe do të jetë më e thjeshtë që në atë fushë, të mund ta kesh më të thjeshtë të gjesh materiale në vitet ’30 se në atë periudhë. Kjo është e tmerrshme. Ne kemi bërë lëvizjet tona në këtë drejtim. Kemi bërë një rregullore njësuese, që nis që nga formati se si duhet të jetë shkresa zyrtare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?