Ambasadori i OSBE takim me shoqatën e gjyqtarëve dhe prokurorëve: Përfshirja e të gjitha palëve për funksionimin e sistemit të drejtësisë
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë. Takimi është mbajtur në një kohë kur zhvillimet në sistemin e drejtësisë kanë qenë në qendër të diskutimeve. Sipas OSBE-së, në fokus kanë qenë edhe të drejtat e individit dhe respektimi i standardeve për një gjykim të drejtë.
Gjatë takimit është nënvizuar rëndësia e përfshirjes së të gjitha palëve, përfshirë institucionet e drejtësisë dhe aktorët e tjerë të sistemit, në diskutimet për çështjet që lidhen me funksionimin e tij. OSBE thekson se një përfshirje e tillë është e rëndësishme edhe për forcimin e shtetit të së drejtës dhe ruajtjen e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.
“Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran, u takua sot me përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe ndikimin që ato mund të kenë në funksionimin e tij, në të drejtat e individit dhe standardet për gjykim të drejtë. Gjatë diskutimit, u theksua, gjithashtu, rëndësia e përfshirjes kuptimplotë të të gjitha palëve, përfshirë institucionet e drejtësisë dhe aktorët e tjerë të sistemit, në çështjet që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit të drejtësisë, shtetin e së drejtës në tërësi dhe besimin e publikut”, thuhet në njoftim.

