Dokumentet biometrike, vendimi i ri për pasaportat dhe kartat e ID-së
Qeveria ka miratuar një ndryshim të rëndësishëm në vendimin e vitit 2023 për krijimin e shoqërisë aksionare përgjegjëse për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike. Vendimi i ri, i propozuar nga Ministri i Punëve të Brendshme, rikonfiguron mënyrën se si shoqëria shtetërore do të administrojë infrastruktura kritike dhe sistemet e identitetit digjital të shtetasve shqiptarë. Sipas ndryshimit të miratuar në pikën 7 të vendimit ekzistues, shoqërisë aksionare shtetërore i ngarkohet detyra e administrimit dhe zhvillimit të procesit “nëpërmjet furnizimit nga shoqëria ‘ALBTraceCo’, sh.a.”.
Vendimi i ri përcakton se furnizimi nga “ALBTraceCo” sh.a. do të mbulojë të gjitha kapacitetet e nevojshme të infrastrukturës dhe teknologjive të sigurisë së lartë. Këto sisteme do të garantojnë mbrojtjen e të dhënave sensitive të qytetarëve, identitetin dhe të dhënat biometrike, si dhe sigurimin e dokumenteve fizike biometrike boshe.
Përveç prodhimit fizik të pasaportave dhe lejeve të njoftimit elektronik, fusha e veprimit zgjerohet edhe në nivelin digjital. Shoqëria shtetërore do të mbulojë projektimin, zhvillimin, implementimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve elektronike; platformat kritike shtetërore për identitetin biometrik dhe digjital; shërbimet e identifikimit elektronik, autentifikimit, gjurmueshmërisë dhe verifikimit elektronik. Zbatimi i këtij vendimi i është ngarkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, shoqërisë aksionare përgjegjëse për dokumentet biometrike, si dhe shoqërisë “ALBTraceCo”, sh.a.
KOHA JONË SONDAZH

