Dokumenti/ Presidenti, Komisionit të Venecias: Shqipëria rrezikon kapjen totale të shtetit!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i është drejtuar Komisionit të Venecias “Për dhënien e një opinioni mbi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”.

Në dokumentin e publikuar nga Presidenca jepen argumentet ligjore të shkeljeve që ka bërë mazhoranca gjatë procesit të zgjedhjes së anëtarëve të kësaj gjykate. Kreu i shtetit shprehet se aktualisht “Shqipëria është në çekuilibër të plotë të mekanizmave të kontrollit dhe balancës, rrezikon kapjen totale të shtetit!”.

Presidenti shprehet se në shkelje totale ligjore, Kuvendi tentoi rrëmbimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit me qëllim kapjen e Gjykatës Kushtetuese. “Kur Qeveria, Kuvendi, të gjitha Bashkitë, Këshillat Bashkiakë dhe thuajse të gjitha institucionet e pavarura, janë në duart e një partie të vetme: a i shërben kapja e Gjykatës Kushtetuese interesit politik për t’iu shmangur kontrollit dhe llogaridhënies?”,- thuhet në një prej pyetjeve që Presidenti i ka dërguar Komisionit të Venecias.

Gjithashtu, kreu i shtetit shpreh shqetësimin se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka marrë parasysh asnjë prej këshillave që Venecia ka dhënë më herët për institucionet e Shqipërisë. “Asnjë reflektim nga Kuvendi ndaj këshillave të Komisionit të Venecias! Të dhënat e shtrembëruara dhe pyetjet vetësugjeruese të Kuvendit synojnë lexim të gënjeshtërt të situatës”,- thuhet ndër të tjera në letër.

Dokumenti voluminoz i Presidencës për Venecian i ka dërguar këtij komisioni informacion të plotë të dokumentuar, dhe një listë pyetjesh që qartësojnë kushtetutshmërinë e veprimeve të secilit.

Letra e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për Komisionin e Venecias   

SHKARKO APP