Dom Ernest Troshani, Kardinali ynë i dyfishtë i lidhjes speciale të kombit shqiptar me Amerikën

Nga Ndriçim Kulla/Në shekujt e parë të Kishës Katolike fjala “kardinal” përdorej për të gjithë priftërinjtë të cilët qenë me detyrë në një kishë të caktuar dhe që ishin si të thuash titullarët e saj. Në këtë kuptim, të rregullave të vjetra të Kishës Katolike, Dom Ernest Troshani është bërë kardinal që në vitin 1963, jo në 2016. Në këtë kuptim mund të thuhet se Dom Ernesti është bërë kardinal që kur mbajti meshën për vdekjen e Presidentit Kenedi, në vitin 1963.

Nga të gjithë presidentët amerikanë, diktatori Enver Hoxha kishte anatemuar më shumë Kenedin. Arsyeja nuk është e vështirë të kuptohet. Te Kenedi diktatori komunist dhe jo vetëm ai por edhe të ngjashmit e tij, panë një lider karizmatik që në pak kohë u tregua i aftë të krijojë një frymë jo vetëm në vendin e tij, në Amerikë, por në mbarë botën, një frymë të shpresës për progres, paqe, mirëqenie. Kenedi, krijuesi i kësaj fryme ishte presidenti i parë katolik amerikan. Kjo nuk është e rastësishme. Formimi i tij katolik sigurisht që ka pasur ndikim në formimin e tij si politikan.

Kur u vra Presidenti Kenedi, Papa Pali VI u bëri thirrje priftërinjve katolikë në të gjithë botën që të mbanin meshë për shpirtin e tij. Kjo thirrje vlente edhe për priftërinjtë në botën komuniste, përtej “perdes së hekurt”, por Papa Pali VI nuk priste që dikush atje ta bënte një gjë të tillë. Në të gjithë botën komuniste, një meshë e tillë do të shihej si një akt politik kundër regjimit. Vatikani, ndonëse nuk i ndalonte priftërinjtë në botën komuniste që të kryenin këto detyrime, nuk i inkurajonte trimëri të tilla, sepse ato do të sillnin pasoja të rënda për ata që i kryenin ato. Për priftërinjtë përtej “perdes së hekurt” do të ishte e mjaftueshme edhe që të thoshin nën zë një përshpirtje për Kenedin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por një prift i vetëm në të gjithë botën komuniste, në një katund të Shqipërisë, Dom Ernest Simoni, i quajtur Troshani, vendosi ta kryente obligimin rigorozisht sipas thirrjes së Atit të Shenjtë, duke mbajtur një meshë për Kenedin. Ka shpjegime të ndryshme për kuptimin e fjalës “kardinal” dhe një nga më të besueshmit është se kjo fjalë ka kuptimin e shtyllës. Në qoftë se është kështu, Dom Ernesti u bë kardinal atë ditë të vitit 1963, kur mbajti meshën për Kenedin, duke qëndruar si shtyllë e Kishës. Kardinalët quhen edhe princa të Kishës. Të rrallë janë ata që e kanë merituar të quhen princa të Kishës sa Dom Ernesti në atë ditë të vitit 1963.

Swiss Digital Mobile Reklama

Fjala “martir” do të thotë “dëshmitar”, një njeri që dëshmon besimin dhe bindjet e tij, me anë të një akti flijimi. Dom Ernesti me meshën e tij për Presidentin Kenedi dëshmoi si katolik dhe si shqiptar proamerikan, dëshmoi fenë e tij, dhe proamerikanizmin historik të kombit shqiptar. Në ato ditë të errëta, shpresat e shqiptarëve të shtypur nga regjimi komunist qenë te Zoti dhe SHBA.

Dom Ernesti i dinte mirë pasojat që do të kishte për aktin e tij. Për shtetin komunist akti i tij ishte krim i rëndë që dënohej me vdekje. Dhe Dom Ernesti shkoi me vetëdije në martirizim. Akti i tij e habiti regjimin komunist, aq sa ai nuk reagoi menjëherë. Sigurimi i Shtetit nuk e arrestoi menjëherë Dom Ernestin. Ndoshta priti që ai të tentonte të arratisej pas aktit të tij dhe pastaj ta arrestonin në kufi, ose ta vrisnin atje, si agjent të CIA-s që e demaskoi vetveten. Por Dom Ernesti nuk kishte ndërmend të arratisej. Ai vazhdoi të qëndronte në fshatin ku ishte meshtar, në kishën e tij. Kjo gjë e tërboi përfundimisht Sigurimin e Shtetit. Erdhën Krishtlindjet, dhe Dom Ernesti mbajti meshën e rastit. Sigurimi i Shtetit e arrestoi pikërisht atë natë pas meshës.

Dom Ernesti ishte 35 vjeç, pak më i madh në moshë se Krishti kur ky u flijua. Dom Ernesti ishte i gatshëm për të shkuar në Golgotën e terrorit ateist komunist si martir. E gjykuan në emër të regjimit ateist komunist dhe e dënuan me vdekje. Regjimi vrasës nuk do t’ia kishte kursyer jetën në qoftë se nuk do të kishte pasur më tepër frikë nga vdekja e tij. Regjimi u tremb se nëse do ta pushkatonte priftin katolik që mbajti meshë për vdekjen e Presidentit Kenedi, Vatikani do ta bënte shenjtor atë. Dhe pastaj Shën Ernesti i Troshanit do të shndërrohej në një simbol të katolikëve shqiptarë, të gjithë shqiptarëve që donin çlirimin e vendit nga diktatura komuniste.

Regjimi u tremb edhe se Dom Ernesti i pushkatuar dhe i shenjtëruar do të ishte më tepër se një shenjtor katolik, ai do të ishte simbol i lidhjes speciale të kombit shqiptar me Amerikën. Bota do të shikonte se edhe pse shqiptarët gjendeshin nën sundimin e një prej regjimeve më antiamerikane të globit, ky regjim ishte i paaftë për t’i ndaluar ata të shprehnin ndjenjat e tyre ndaj SHBA. Prandaj regjimi komunist ia ktheu Dom Ernestit dënimin me vdekje në dënim me burg të zgjatur.

Dom Ernesti vuajti në burgjet e komunizmit dhe pas rënies së regjimit komunist iu përkushtua hapur detyrës së priftit, të cilën në fshehtësi nuk e braktisi kurrë. Ai nuk kërkoi lavdi për gjestin e tij të vitit 1963. Ndonjë tjetër më i shkathët do të ishte bërë i famshëm në botë, si Meshtari i Kenedit. Dom Ernesti nuk shëtiti në studio televizive, nëpër pritje, nuk iu ra në sy pushtetarëve që të merrte dekorata. Askush më tepër se ai nuk e meritonte medaljen “Nderi i Kombit” por ai nuk e ka atë. Vetëm në 2014 ai dëshmoi publikisht para Atit të Shenjtë në Tiranë.

Tani në moshën 88 vjeç, Dom Ernesti është kardinali i ri shqiptar, i dyti kardinal i Kishës Katolike të Shqipërisë. Në fakt Dom Ernesti është kardinali ynë i vjetër, në kuptimin e vjetër të kësaj fjale që kam thënë më lart. Këtë vit Dom Ernesti kishte edhe 60-vjetorin e shugurimit të tij prift. U shugurua prift në vitin 1956, vitin e përmbysjeve në botën komuniste, një shenjë e mirë kjo që paralajmëronte se ai do të jetonte sa të shihte përmbysjen e regjimeve ateiste dhe Kishën e rilindur.

Dom Ernesti si kardinal nuk ka të drejtë vote për shkak të moshës së tij mbi 80 vjeç, por kjo nuk e cenon mandatin e tij si princ i Kishës, sepse ai ka votuar një herë e përgjithmonë atë ditë të vitit 1963, me meshën për Presidentin Kenedi, duke dhënë një shembull për çdo princ të Kishës.

MAPO

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?