Dom Gjergj Meta: Dy fjalë për HEC-in e Kaçinarit, por jo vetëm…

Nga Dom Gjergj Meta

Përveçse thajnë prrojet, lumenjtë në pjesë të tyre, e sjellin ndryshime në ekosistem e në jetën e florës e të faunës, e vërteta është se Mirdita nuk ka pasur asnjë përfitim as nga HEC-i i Qafmollës, as nga Miniera e Spaçit, as nga HEC-i në Reps, e kështu me rradhë. Nuk ia ka pa hajrin deri në ditë të sodit. Fitim dhe përfitim kanë pasur vetëm pronarët që kanë hedhur thërrime me ndonjë makinë çakull apo ndonjë punësim.

Por Mirdita nuk ka përfituar asgjë në jetën komunitare dhe sociale prej tyre.

E si mund të besohet se tash ka ardhur mrekullia nē Kaçinar? Është e lehtë sot me aq pak njerëz sa kanë mbetur atje të hedhësh grepat e të tubosësh ato pak pika uji që ka zalli i Kaçinarit e i Simonit. Kaçinari e Simoni, si krejt Mirdita, kanë mbetur e vazhdojnë të mbesin larg vëmendjes. Dhe e dini mirë ju që lexoni, mirditorë e jo mirditorë, ju që keni mbet këtu e ju që jeni largu nga Mirdita, se unë them të vërtetën.

E dini mirë se unë jam aty dhe shikoj e prek me dorë realitetin ma shumë se kushdo tjetër që ka përgjegjësi institucionale, atje lart e këtu poshtë.
Protesta e kaçinarësve është e drejtë dhe unë e mbështes plotësisht. Pavarësisht se duket që ata që janë të fuqishëm i kanë kopsit letrat, protesta ia vlen dhe HEC-i duhet penguar.

Nuk pengohet zhvillimi, por padrejtësia, abuzimi dhe terri procedural. Po ashtu jam i sigurtë se njëherë që mund të bëhet HEC-i, njësoj familjet e Simonit e të Kaçinarit do të jenë pa rrugë e pa infrastrukturë si në këto 30 vite. Njësoj jeta e tyre nuk do të ndryshojë dhe e gjithë zona do të jetë jashtë vëmendjes. Shikoni në zona të tjera ku ka HEC-e dhe do të vërtetoni këtë që them unë. Kjo sepse një HEC nuk ndryshon asgjë pavarësisht nga premtimet e bëra e kurrë të mbajtura, sikurse në zona të tjera.

Nga ana tjetër kaçinarësve e krejt mirditorëve ju them se protestat janë të pamjaftueshme, pasi kur t’i thuash “jo” diçkaje duhet me pas guximin mandej me u kthy e me investu në Kaçinar, Simon e krejt Mirditën, me përvesh mangët e mos me e lanë vendin shkret e djerrë tu e dashtë nëpërmjet fb e instagramit. Prandaj ka nevojë me iu përvesh punës, kreativitetit, në apikulturë, bagëti, agriturizëm, bujtina, bjeshkë etj., e jo vetëm me i lanë djerrë tokat ose më keq akoma, si në shumë raste, me i mbjellë hashash.

Duhet me i thanë “jo” padrejtësisë dhe abuzimit, ama duhet me i thanë “po” punës dhe kreativitetit.
Ditë të mbarë e ju ndihmoftë shenjti shna Ndue!

SHKARKO APP