Dom Gjergj Meta për Princeshën Kate Middleton: Ajo na tregoi se di ta shpërfaqë fisnikërinë e saj si princeshë edhe në një situatë kaq delikate

Nga dom Gjergj Meta-

Të them të drejtën e mendoj shpesh: sikur të më ndodhte mua ose dikujt shumë afër meje si do të reagoja? Nganjëherë kam përjetuar frikën se mos kam një sëmundje të rëndë në krye, apo në organet e brendshme, thjesht për shkak të disa simptomave që, sipas mendjes time, ishin të ngjashme me iks sëmundje. Nuk e fsheh se kam pasur dhe kam frikë. Nuk mendoj se ka guximtarë aq të marrë sa të thonë: “unë nuk kam frikë nga një tumor”. Frika është një bashkëjetuese e jona, jo shumë komode me siguri, por nuk e heq dot nga “dhoma” e ndjesive të tua.

Ka shumë njerëz, burra, gra e fëmijë me sëmundje të rënda apo deri edhe terminale. Shoqëria civile në Shqipëri sapo përcolli një person që nuk e kam njohur personalisht, Ina Kasimatin, e cila duket se ka prekur zemrat e shumëkujt. Por janë edhe shumë të tjerë, e shumë prej nesh, në një mënyrë a në një tjetër, kemi ose kemi pasur njerëz me këto sëmundje.

Këto ditë më rastisi të dëgjoja princeshën e Galles, Kate Middleton, dhe videomesazhin e saj. Më preku e më dha ndjesinë e fisnikërisë që persona të tillë nuk e shprehin vetëm kur janë në pritje zyrtare, apo kur duhet të tregojnë formalisht se janë pjesë e oborrit mbretëror. Ajo na tregoi se di ta shpërfaqë fisnikërinë e saj si princeshë edhe në një situatë kaq delikate,  sikurse është një sëmundje, që edhe po nuk e çoi drejt vdekjes me siguri do të prishë ekuilibrat e saj fizikë dhe ekzistencialë.

Princesha ka gjithë respektin dhe admirimin tim e sigurisht edhe lutjet e mia për shëndetin e saj, ashtu sikurse çdo ditë lutem për çdo të sëmurë apo nevojtarë për pak afërsi e butësi.

Ajo na dha në fakt një mësim me çdo fjalë e çdo shprehje të fytyrës së saj. E sa shumë kemi nevojë të mësojmë, sidomos kur ajo na kërkoi të respektojmë sëmundjen e saj. Sa pak respekt tregojmë në fakt për veten dhe për të tjerë kur, në epokën digjitale në të cilën jemi të zhytur këmbë e krye, bëjmë objekt vuajerizmi gjithçka për pak klikime, për pak mëshirë, për pak vëmendje, përderi edhe sëmundjen, problemet tona personale apo familjare e madje edhe vdekjen.

SHKARKO APP