Dom Gjergj Meta: Shtatori, muaji i krimit

Nga Gjergj Meta-
SHTATORI – MUAJI I KRIJIMIT
(… që gjëmon nën thundrën e të paskrupujve)
Muaji shtator është muaji i lutjes për krijimin d.m.th. për tokën ku ne jetojmë. Mundësia e transformimit të natyrës në dobi të njeriut dhe të jetës së tij, për fat të keq, ka sjellë edhe në abuzimin me të. Kriteret që shpesh janë përdorur kanë qenë dhe janë me pasoja të dëmshme për të ardhmen e planetit.
E vërteta është se të mirat e planetit i gëzojnë pak njerëz, të pasur, të fuqishëm e të pangopshëm. Mjafton të shikohet çfarë i ka ndodhur dhe çfarë i ndodh pasurive minerare, hidrike apo pyjore në Shqipëri. Është dëmtuar natyra dhe e mira e përbashkët në emër të pak njerëzve apo grupeve ekonomike, shpesh të mbështetur nga sistemet politike dhe qeveritë e këtyre 30 viteve tranzicion.
Të lutesh do të thotë edhe të veprosh e të ngresh zërin kundër abuzimeve me natyrën dhe me pasuritë që i përkasin të gjithë njerëzve pa dallim. Aksesi i barabartë, gjurmimi i nevojës reale dhe prodhimi në bazë të kësaj nevoje, politikat e ruajtjes së ambjentit, reduktimi i emetimeve të gazrave dëmsjellëse dhe një kulturë harmonie me natyrën mund ta ndalin prishjen e natyrës dhe të rrisin cilësinë e jetesës.
Djegiet e pyjeve këto muajt e fundit, dëmtimi i pasurive hidrike me anë të tubëzimeve, betonizimi i skajshëm e i pandalshëm i qendrave urbane e jo vetëm, kanë përgjegjës që ende nuk ka guxim kush t’u vendosë gishtin e t’u japë një emër.
Krijimi po gjëmon nën thundrën e të paskrupujve që kanë aleate shtete e qeveri, parlamente e ligje. Të reagojmë sa nuk është vonë të gjithë së bashku në mbrojtje të natyrës. Është në lojë e ardhmja e planetit dhe e jona.
Muaj të mbarë!
D. Gjergji

SHKARKO APP