Dorëheqja e Alibeajt, Baçi: Vendim i duhur, kurse Berisha po sillet si raporter i OSBE-ODIHR
Analisti Agim Baçi dorëheqjen e kreut të komanduar të Partisë Demokratike, e vlerëson dhe thotë se Enkelejd Alibeaj tregoi edhe zgjidhjen. Sipas tij, deklaratat e dy ditëve të fundit të Berisha janë tallje për demokratët, teksa i krahason ato si një imitim të dobët të deklaratave të Bashës.
“Kjo është një kambanë alarmi që duhet të vërë në pozitë Berishën që flet si raporter i OSBE ODIHR që numëron shkeljet në zgjedhjet dhe harron që ka përgjegjësi politike. Ishte ai që thoshte se do kthehej si Steve Jobs, ishte ai që garantoi se do ta bënte blu hartën e Shqipërisë. Tani del e denoncon. Imitim i dobët i deklaratave të Bashës dy vite më parë . Kjo është tallje me demokratët edhe thirrja e Metës në seli ishte për të koordinuar këtë qëndrim. Sali Berisha tregoi që në kulturën e tij njeh vetëm atë që do ai”.
Baçi thekson se Alibeaj ra në grackën e Sali Berishës, duke e lënë PD-në për një vit e gjysmë në mëshirë të negociatave me të.
“Alibeaj dorëheqjen e ka morale. I kushtoi më shumë vëmendje idesë që të merrej vesh me Berishën sesa të merreshin me partinë. Për një vit e gjysmë e la në mëshirën e negociatave të Berishës dhe është përgjegjësi politike. Kush mendon se do ta fusë në kurth Berishën gabon. Berisha i ka futur në kurth të gjithë dhe i ka përdorur të gjithë. Për një vit e gjysmë i dhanë të gjithë terrenin Berishës”.
Dhe në këto kushte fatura e përgjegjësisë për humbjen në zgjedhjet e 14 majit, sipas Baçit është e Sali Berishës.