Doshi e Frroku kalojnë natën e parë në polici, sot nis beteja në Gjykatën e Lartë

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka firmosur urdhër-ndalimet e dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Mark Frroku e Tom Doshi, të cilët u ekzekutuan nga policia pasditen e 26 marsit, rreth 3 orë pasi Kuvendi i dha autorizimin prokurorisë. Ndërkohë nata mes 26- 27 marsit, ishte nata e parë që dy deputetët e qarkut të Shkodrës kaluan në ambientet e Drejtorisë së policisë së Tiranës. Brenda 48 orësh Prokuroria pritet t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me dy kërkesa ndaj tyre. E para, për ligjshmërinë e ndalimit dhe e dyta, për caktim të masës së sigurisë për dy deputetët.

Avokati i deputetit Tom Doshi, Vladimir Meçe deklaroi dje se do t’i drejtohen sot Gjykatës së Lartë për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të klientit të tyre, pasi e quajtën të kundra-ligjshëm urdhrin e ndalimit të firmosur nga kryeprokurori Adriatik Llalla.

Sipas tij “arrestimi në rastin e lejimit nga ana e parlamentit është dhe mund të bëhet vetëm nëpërmjet vendimit të Gjykatës së Lartë”. “Prokurori i Përgjithshëm nuk ka pasur të drejtë sepse edhe vetë Parlamenti nuk e ka autorizuar të nxjerrë një urdhër ndalimi dhe ti kufizojë lirinë zotit Doshi. Kontrolli ka qenë pa urdhër të prokurorit dhe pa vendim të gjykatës. Ne do të reagojmë nesër (sot) për t’ju drejtuar Gjykatës së Lartë për të urdhëruar menjëhershëm lirimin e deputetit pasi ndodhemi në një shkelje shumë të rëndë. Vetëm me një vendim të Gjykatës së Lartë arrestohet deputeti. Parlamenti i ka dhënë leje të procedojë me arrestimin dhe kontrollin personal te deputetit por jo leje të kryejë veprime të tjera. Unë mund të rikonfirmoj se e gjithë procedura e ndjekur nga prokurori i Përgjithshëm është në kundërshtim me ligjin. Po ashtu dhe vendimi që ka marrë parlamenti i ka dhënë fund parlamentarizmit.” – theksoi Meçe.

SHKARKO APP