Doshi në Prokurori, përballet me Ymer Lalën

Në orën 10 të mëngjesit të se enjtes Deputeti Tom Doshi hyri sërish në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Kësaj rradhe për një tjetër ballafaqim. Prokurorët kanë vënë përballë njëri – tjetrit Doshin dhe shtetasin Ymer Lala si person që ka dijeni për ngjarjen.

Ky i fundit është mik me Fatjon Skënderin. Sipas burimeve nga Prokuroria, përballja mes tyre bëhet për arsyen se Fatjon Skënderi ka deklaruar se Ymeri e ka njoftuar se Doshi kërkon të takohet me të dhe se për llogari të Deputetit të Shkodrës ai i ka thënë që Skënderi nuk duhet të kthehet në Shqipëri pasi mund të arrestohet nga policia.

Ymer Lala ka dëshmuar edhe më herët në Prokurori për këtë ngjarje dhe mësohet se ai ka pranuar se ka qënë i kontaktuar nga Deputeti Doshi dhe se i është kërkuar të ndërmjetësojë takimin mes Doshit dhe Fatjon Skënderit. Mësohet se Lala pasi ka kontaktuar në telefon me Skënderin ka bërë edhe një udhëtim në Gjermani për të takuar atë.

Pas ballafaqimit prej afro 5 orësh Doshi është larguar nga Prokuroria pa komente edhe pse një ditë më parë ai deklaroi se disponon edhe prova të tjera që vërtetojnë se plani kriminal ndaj tij ka qënë real. Pas një takimi me deputetin Mark Frroku, me të cilin ka kryer edhe një ballafaqim në Prokurori, Doshi tha se eksponentë në LSI kanë shkuar në Gjermani për të takuar Fatjon Skënderin, personi që pretendohet nga Doshi se ishte ndërmjetësi mes porositësit të vrasjes, Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe ekzekutorit të penduar Durim Bami.

SHKARKO APP