Dosja e AKSHI-t, Gjykata e Lartë nxjerr nga arresti shtëpiak ish-drejtoreshën Karçanaj
Këtë të enjte Gjykata e Lartë ka lehtësuar masën e sigurisë, për ish-drejtoreshën e ASKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, nën hetim nga SPAK pas dyshimeve për abuzime tenderët. Gjykata e Lartë e lehtësoi masën nga arresti shtëpiak në atë të detyrimit të paraqitjes dhe ndalimit të daljes jashtë shtetit. Gjykata urdhëron SPAK për ekzekutimin e këtij vendimi, ndërsa me masën e re Karçanaj do duhet të paraqitet pranë policisë gjyqësore, të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00.
Vendimi i plotë
1-Lënien në fuqi të vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i përket disponimit në lidhje me rekursuesit Erjon Ismaili dhe Gëzim Hoxha.
2-Ndryshimin e vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me rekursuesen Mirlinda Karçanaj.
a-Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
b-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të paraqitet pranë policisë gjyqësore, të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00.
3-Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me ekzekutimin e këtij vendimi.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
KOHA JONË SONDAZH

