Dosja ”McGonigal”, ish-deputetja Caka: Ja pse Rama nuk është më kryeministër
Ish-deputetja e ish-LSI-së, sot sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka, thotë se Edi Rama nuk ndihet më kryeministër, për sa kohë që s’del të japë llogari mbi çështjen “McGonigal” për të cilën është “tmerrësisht i implikuar”.
Ajo u shpreh skeptike nëse do të pranohet ngritja e një Komisioni Hetimor, por vuri në dukje se sidoqoftë faktet do të dalin nga SHBA-të. Caka dyshon që do të ketë një hetim nga SPAK mbi lidhjet Rama-McGonigal, për sa kohë që flitet se vetë prokurorë janë takuar me ish-zyrtarin e FBI.
”E rëndësishme është që mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, mes Shqipërisë dhe BE-së, do ishte mirë që Shqipëria të kishte marrëdhënia të mira diplomatike. Mua s’më interesojnë marrëdhëniet personale të kryeministrit, por marrëdhëniet dypalëshe. Ajo që ka ndodhur me rastin McGonigal, është një krisje e këtyre marrëdhënieve, sepse s’është e paktë që një kryeministër të korruptojë një zyrtar të lartë të FBI-së. Përfitimet e tij personale janë parë. Ka pasur një marrëdhënie biznes kriminal me çështjen e ‘non gratave’, që u kthye në gjobvënie. Ka pasur një marrëdhënie personale të jashtëligjshme duke e trajtuar Shqipërinë si pronë private”,-tha Caka në ”MCN TV”.
Po ashtu Caka theksone dhe faktin që Ambasada Amerikane s’e ka komentuar skandalin, duke u shprehur se i ka adresuar pyetje Departamentit të Drejtësisë. ”Mendoj që është plotësisht në të drejtën e ambasadës amerikane të këtë lloj komunikimi. Me të marrë informacionet besoj që do ketë edhe një komunikim, dhe uroj të ketë një komunikim nga ambasada e SHBA-ve”,-tha më tej ish-deputetja.