Dosjet e terrorrit, Krimet kërkuan strukturë për terrorrizmin
Pas ngjarjes së fundit me terroristët që kishin planifikuar sulm në Kryegjyshatë, 12 dosje me të pandehur të arrestuar dhe në mungesë janë nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Një seksion i posaçëm i hetimit të çështjeve të terrorizmit është marrë me to por Vetting-u bëri që prokurorët e larguar t’ia lënë fatin e hetimeve të tjerë prokurorëve të përkohshëm. Këto dosje sipas prokurorëve, kanë të dhëna hetimore për tentativë të akteve terroriste, rekrutim të meshkujve dhe fëmijëve, financim dhe stërvitje të ushtarëve. Reforma që do të pësojë së shpejti sistemi i drejtësisë në vend dhe shkrirja e gjykatës dhe prokurorisë për krimet e rënda, do të bëjnë që këto dosje të kalojnë për kompentencë lëndore pranë prokurorive në rrethe.
Rasti i marsit të vitit 2018, i publikuar nga Policia e Shtetit, tregoi se celulat terroriste në Shqipëri veprojnë në formë të organizuar dhe se vetëm falë hetimit të strukturave të posaçme u bë i mundur parandalimi i disa sulmeve terrorriste në një aktivitet fetar si dhe në bazën e azilantëve të shtetasve irakianë në periferi të Tiranës. Ligji e ka thënë fjalën e tij. Këto çështje nuk do të jenë kompetencë e prokurorisë së posaçme të hetimit, duke lënë në duart e prokurorive në rrethe çështje që lidhen me sigurinë publike dhe territoriale.
12 dosje presin të zbardhin të tjera fakte dhe ngjarje. Prokurorët e Krimeve të Rënda që hetonin këto çështje kërkuan prej ligjvënësve në 2016 ngritjen e një strukture të posaçme brenda SPAK, duke i cilësuar këto dosje si shumë specifike dhe profesionale por kërkesa e tyre, edhe pse e miratuar nga faktori ndërkombëtar, u hodh poshtë duke lënë në rend të dytë sigurinë dhe në të parin korrupsionin në nivel shtetëror.