Tragjedia e Velipojës. Evisa në spital nuk di asgjë për tre fëmijët dhe burrin, të ndarë nga jeta
Tragjedia e madhe e Velipojës vazhdoi sot me ceremonialin mortor të vajzës së madhe te familjes Preka. Vajza e madhe e familjes Preka, nga Velipoja, që u përfshi në një aksident tragjik ku humbën jetën babai, motra dhe vëllai i saj, u përcoll sot për në banesën e fundit. Mes dhimbjes që është ulur këmbëkryq në familjen Preka, nuk ka ngushëllim, ndërsa të gjithë vajtojnë me dhimbje për humbjen e madhe. Në shenjë nderimi për vogëlushen, në kishën e Velipojës u mbajtën homazhe për Noemin, 10 vjeçaren së cilës dje i ndaloi zemra ndonëse mbahej në gjendje kome pas aksidentit.
U shua një familje; babai dhe tre fëmijët nga aksidenti. Tashmë vetëm nëna e tre fëmijëve të ndarë nga jeta është gjallë, Evisa. Ajo ndodhet në spital.
Tragjike janë fjalët e priftit dom Marjan Gegës, i cili tregoi se Evisa, gruaja që humbi gjithë familjen nga aksidenti, burrin bashkë me vogëlushët, kërkon fëmijët e saj teksa gjendet e shtruar në spital. Ajo nuk di gjë akoma se ç’tregjedi ka ndodhur në familjen e saj.
“Evisa kërkon fëmijet e saj. Të dashtunit e saj. Evisa, ne jemi duke të rrejt sepse s’dim si me ta tregu. Askush nga se merr guximin si me ta thanë. Jena tu të rrejt ashtu si kjo jetë është e rrejshme, jemi duke u tregu të padrejtë, ashtu siç ne po tregohena të padrejtë me ty. S’kam ma fjalë me të thanë, Evisa. Di të them se fëmijët dhe burri jot nuk janë ma ktu. Na, as ti nuk i sheh, por ata janë me ne. Fëmijët dhe bashkëshorti nuk duan që të mbytemi në lot e dëshperimit, por ata duan që ne të shpresojme dhe të besojmë se ata janë në jeten e vertetë e ndërsa ne në jeten e rrejshme”- tha Dom Marjan Gega, shkruan shkodranews.
Mes të tjerash ai apeloi që prindërit të kenë kujdes kur udhëtojnë me makinë bashkë me fëmijët e tyre. Po ashtu ai leshoi edhe akuza për policinë rrugore.
“Kur udhëtoni, veni rripin e sigurimit. Fëmijë u thoni prindërve që të bëjnë kujdes. Vdekja vjen shumë shpejt. Thojini shokëve e shoqeve tuaja që bëni kujdes kur delni në rrugë- shtoi prifti i Velipojës.
Babai me tre fëmijët e tij janë në një varr të madh familjar. Kjo është tragjedi e padëgjuar ndonjëherë. Ndërkohë Evisa ndodhet në spital dhe asnjë nuk mund t’ia tregojë se burri dhe tre fëmijët e saj janë në varr, tashmë.
Edhe vetë Zoti nuk gjen fjalë për këtë tragjedi.