Dredhza Braina, shqiptarja nga Prishtina që do të jetë jo një emër por simbol i sigurisë kibernetike ndërkombëtare
Nga Albert Vataj
Në një kohë kur teknologjia digjitale është bërë fusha më dinamike dhe jetike për zhvillimin e qytetërimit bashkëkohor, emri i një vajze të re nga Prishtina, Dredhza Braina, është ngjitur me vendosmëri në një prej majave më të larta të kësaj bote komplekse dhe të ndërlikuar, atë të sigurisë kibernetike.
Në gusht të vitit 2025, në një ceremoni të zhvilluar në Las Vegas, SHBA, Braina u shpall fituese e çmimit global “Cybersecurity Woman of the Year”, në kategorinë domethënëse “Barrier Breaker”. Ky çmim vlerëson gratë që jo vetëm kanë shkëlqyer profesionalisht, por që kanë thyer kufizimet strukturore, kulturore dhe gjinore në një fushë që për dekada ka qenë e dominuar nga burrat dhe nga qendrat teknologjike globale.
Kjo fitore nuk është vetëm një medalje nderi për individin. Është një akt simbolik për Kosovën, për Ballkanin, për gjithë vajzat që e shohin veten të papërfaqësuara në teknologji. Është një manifest i fuqishëm se talenti nuk është pronë e gjeografisë, por e pasionit, përkushtimit dhe mendjes së lirë.
Dredhza Braina, vetëm 22–23 vjeç, është diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. Në një realitet akademik ende të kufizuar në burime, ajo gjeti rrugën për t’u tejkaluar, përmes kërkimit të pavarur, angazhimit në komunitete ndërkombëtare të teknologjisë, dhe ndjekjes së garave dhe trajnimeve që lidhen me sigurinë e informacionit.
Kjo qasje e hershme e orientoj drejt një roli të lakmuar në industrinë globale të cybersecurity. Sot ajo punon si Threat Researcher për Permiso Security, një kompani amerikane me ndikim në mbrojtjen nga kërcënimet dixhitale të organizatave të mëdha. Ky pozicion nuk është thjesht një punë, por një pjesëmarrje aktive në ndërtimin e një bote më të sigurt digjitale, në nivel global.
Por Braina nuk u mjaftua me një karrierë të rehatshme në hije. Ajo vendosi të lërë gjurmë. Dhe gjurma e saj është CAPICHE Detection Framework, një mjet i avancuar open-source për zbulimin e kërcënimeve në Cloud APIs, i prezantuar në konferencën BSidesChicago, në SHBA.
Ky framework, që emrin e ka marrë nga shprehja “capiche?” (a kupton?), adreson një nga boshllëqet më serioze në arkitekturën moderne të sigurisë, ndjeshmërinë e API-ve të cloud-it ndaj abuzimit dhe sulmeve. Përmes CAPICHE-s, Dredhza ofron një zgjidhje të qasshme, fleksibël dhe të fuqishme që mund të përdoret nga kompani, studiues dhe komunitete në mbarë botën për të ndërtuar sisteme më të sigurta.
Kjo nuk është vetëm një arritje teknike. Është një akt i përgjegjshëm shoqëror, që rrëfen sesi një e re nga një vend i vogël, pa ndonjë traditë të thellë teknologjike, kontribuon me dije dhe mjet konkret në ekosistemin global të sigurisë.
Titulli që iu dha në Las Vegas, “Barrier Breaker”, është më shumë se një nderim, është një përkufizim i udhëtimit të saj. Dredhza ka thyer barrierat që i janë shfaqur jo vetëm si profesioniste, por edhe si grua, si e re, si kosovare që vjen nga një vend i vogël në rrafshin e gjeopolitikës dhe industrive teknologjike.
Në një postim emocional në rrjetet sociale, ajo shkroi:
“E nderuar që u shpalla fituese e çmimit global ‘Cybersecurity Woman of the Year’ në kategorinë ‘Barrier Breaker’! Jam pafundësisht mirënjohëse për të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim… familjen, miqtë, komunitetin tim dhe çdo person që ka besuar tek unë. Faleminderit nga zemra!”
Ajo e sheh këtë fitore jo si përmbyllje, por si hap i parë në një rrugë të gjatë drejt ndikimit dhe transformimit, jo vetëm në industrinë ku operon, por edhe në ndërgjegjen e brezave të rinj që mund të frymëzohen nga shembulli i saj.
Nuk është e zakonshme që një personazh teknik të shndërrohet në ikonë inspirimi, por Dredhza Braina e ka arritur këtë me një natyrshmëri që rrjedh nga thelbi i përpjekjes së saj: ajo nuk kërkon duartrokitje, kërkon përfaqësim. Përfaqësim për të rinjtë që studiojnë në kushte të vështira. Për vajzat që nuk gjejnë modele në teknologji. Për shqiptarët që besojnë se muret e mungesës së mundësive nuk thyhen dot.
Ajo është mishërimi i faktit që suksesi në teknologji nuk është i rezervuar për Silikonin apo Seattle-in. Në epokën e globalizimit digjital, një ide nga Prishtina mund të mbrojë serverët e një banke në Frankfurt apo të një spitali në Montreal.
Dredhza Braina është jo vetëm një histori suksesi, por një gur kilometrik për frymën e re teknologjike shqiptare. Ajo është provë se shkenca dhe inovacioni mund të lindin nga çdo cep i botës, kur ekziston një zemër që beson dhe një mendje që guxon.
Në të ardhmen, mund të dëgjojmë për projekte të reja, për angazhime ndërkombëtare, për kontribute akademike ose praktike që do të mbajnë emrin e saj. Por edhe nëse kjo nuk ndodh, ajo që ka bërë deri më tani është e mjaftueshme për ta kthyer atë në një figurë referenciale, për teknologjinë, për Kosovën, për gratë, për të gjithë ne që besojmë se bota mund të bëhet më e sigurt, më e barabartë dhe më përfshirëse, pikërisht përmes njerëzve si Dredhza Braina.
KOHA JONË SONDAZH

