Drejt standardeve të BE-së, Elbasani krijon Shoqatën e Bashkëpunimit Bujqësor “Agro Shkumbini”
Bashkia e Elbasanit krijon Shoqatën e parë të Bashkëpunimit Bujqësor në territorin e saj, duke hapur një model të ri organizimi dhe bashkëpunimi në sektorin bujqësor.
Me nënshkrimin e aktit të themelimit të SHBB “Agro Shkumbini”, Bashkia e Elbasanit, përmes shoqërisë aksionare “ERE”, bëhet pjesë e një modeli të ri bashkëpunimi mes institucioneve dhe fermerëve, me synimin për të forcuar zhvillimin e bujqësisë dhe për të përgatitur sektorin për përfitimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Në këtë nismë janë bashkuar fermerë dhe blegtorë nga disa njësi administrative të Elbasanit, të cilët e vlerësuan krijimin e shoqatës si një mundësi për të rritur bashkëpunimin, për të siguruar tregje më të mira për produktet e tyre dhe për të përfituar mbështetje teknike e profesionale në zhvillimin e aktivitetit bujqësor.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja theksoi se krijimi i kësaj shoqate është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të bujqësisë dhe përgatitjes së fermerëve për standardet evropiane.
“Kjo është shoqata e parë e bashkëpunimit bujqësor ku Bashkia e Elbasanit është pjesë e saj. Strukturat e bashkisë do të ndihmojnë drejtpërdrejt në zbatimin e politikave bujqësore, por edhe fermerët në çdo hap të zhvillimit të tyre.”
Sipas tij, objektivi kryesor është që sektori bujqësor në Elbasan të jetë i përgatitur për fondet e Bashkimit Evropian dhe të përfitojë maksimalisht nga politikat e përbashkëta.
“Ka qenë shumë e nevojshme që fermerët, blegtorët dhe prodhuesit bujqësorë të jenë të bashkuar, në mënyrë që të fitojmë maksimalisht nga politikat që ndërtojmë së bashku dhe nga fondet e Bashkimit Evropian” theksoi Llatja.
Kryebashkiaku u ndal edhe te mbështetja konkrete që Bashkia do t’u ofrojë anëtarëve të shoqatës.
“Ne nuk duam vetëm të mblidhemi. Duam t’ju ndihmojmë me agronomët që kemi në strukturat tona, me pikat e grumbullimit, me pikat frigoriferike që do të krijohen, me tregtimin e produkteve dhe me daljen në treg me një markë të përbashkët të SHBB-së.
Synimi është të ofrojmë produkte cilësore, të çertifikuara dhe të shoqëruara me analizat përkatëse, në mënyrë që konsumatori të ketë siguri të plotë.”
Ai sqaroi gjithashtu se shoqata do të funksionojë mbi parimin e barazisë mes anëtarëve dhe se Bashkia nuk do të ketë rol dominues në vendimmarrje.
“Çdo anëtar ka një votë në SHBB. Nuk jemi në fazën që Bashkia merr vendimmarrjen. Administratori që do të zgjidhni dhe përfaqësuesi i Bashkisë do të kenë secili vetëm një votë, njësoj si çdo anëtar tjetër.”
Në përfundim, kryetari nënvizoi se qëllimi është ndërtimi i një partneriteti të fortë me fermerët për zbatimin e politikave bujqësore dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
“Ne duam të jemi bashkë në zbatimin e të gjitha politikave, sidomos atyre të Bashkimit Evropian, dhe në përmbushjen e standardeve që do ta bëjnë bujqësinë tonë më konkurruese.”
Krijimi i SHBB “Agro Shkumbini” konsiderohet një hap i rëndësishëm për organizimin e fermerëve, rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese dhe krijimin e një modeli të ri bashkëpunimi që synon zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në Bashkinë e Elbasanit.
KOHA JONË SONDAZH

