”Drejtësia” që po vret gratë, 6 viktima në 8 muaj

Nga: Redjon Shtylla

Organet e drejtësisë dështojnë të mbrojnë familjen, pasi gjyqtarët dhe prokurorët lirojnë nga burgu vrasësit. Vrasja e 23-vjeçares Sabrina Benga në shtëpinë e prindërve në Zhupan të Fierit nga ish-burri, ishte një krim i paralajmëruar. Elton Metaj ndodhej prapa hekurave deri në korrik të këtij viti kur dhe u lirua.

Gjyqtari i Fierit, Piro Sota po ashtu liroi nga spitali psikiatrik Metjan. Vrasjet e grave kanë tronditur vendin nga veriu në jug. Në 8 muaj 6 gra u vranë nga bashkëshortët. Demokrat Medinaj, 29-vjeç, goditi për vdekje 31 herë me thikë gruan e tij, Irvana Hyka, 28 vjeç. Ajo ishte 6 javëshe shtatzënë. Burri i vuri flakën bashkëshortes së tij për së gjalli në makinë në fshatin Manskuri të Kavajës. Ngjarja horror ndodhi të shtunën e 10 prillit, kur Fëllënza Shirja, 45-vjeçe, u gjet e shkrumbuar në makinë.

Më 6 maj, 54-vjeçarja Luljeta Buzo, sapo kishte mbaruar seancën për procesin e divorcit në Gjykatën e Elbasanit, kur bashkëshorti Koço Buzo e qëlloi me thikë dhe më pas 7 herë me kallashnikov. Menderie Bici, 53 vjeçe, u ekzekutua me sëpatë nga bashkëshorti i saj 56-vjeçar, Qemal Bici. Artan Ismalaj goditi me thikë gruan e tij, Klarita Ismalaja, në makinë në Fushë Krujë në datën 5 korrik.

Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët në Europë. Sot do të mbahet një protestë për Sabrinën, por lufta është e madhe, pasi sistemi i Drejtësisë është i kalbur dhe Policia është e paaftë për të mbrojtur të gjitha gratë me udhër mbrojtje, pasi urdhërat e mbrojtjes jepen, por veç me letër pasi zbatimi në terren nuk ndodh kurrë. Deri kur do të vriten gratë? A është kaq e pamundur shpëtimi i grave nga kthetrat e burrave.

SHKARKO APP