“Drejtësia të dënojë abuzuesit, të rritet përgjegjësia tek familja dhe komuniteti”

Agjencia Shtetërore per Mbrojtjen e te Drejtave te Femijeve (ASHMDF),  institucion ne varesi te Ministrise se Mireqenies Sociale dhe Rinise,  ka pergjegjesine te monitoroje zbatimin e te drejtave te femijeve ne vend. Duke marre shkas nga rastet e shumta te abuzimeve seksuale ndaj  femijeve, te cilat jane paraqitur edhe ne media, ASHMDF  ka reaguar publikisht mbi kete fenomen te rende.
 
DEKLARATA
 Duke marrë shkas nga rastet e bëra publike mbi abuzimin seksual ndaj fëmijëve, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve denoncon ashpër të gjitha format e abuzimit seksual ndaj fëmijëve  dhe nxit  reagimin e publikut jo vetëm për dënimin dhe denoncimin e rasteve të tilla, por edhe për të mbrojtur  viktimat dhe për të parandaluar viktimizimin e mëtejshëm të fëmijëve që kanë pësuar një abuzim të tillë.
Si një institucion që punon për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi, Agjencia është e ndërgjegjshme se rastet e abuzimit seksual të fëmijëve që bëhen publike, përfaqësojnë vetëm një fraksion të dhunës që vajzat dhe fëmijët pësojnë në vazhdimësi, pasi pjesa më e madhe mbetet e paraportuar.
 
Është shqetësues fakti se shumë prej rasteve të raportuara të abuzimeve me fëmijët, ndodhin brenda familjes. Kjo i bën fëmijët akoma më të pashpresë, pasi dhunohen nga njerëzit të cilët kanë detyrën t’i mbrojnë. Ndaj është detyrë e të gjithë atyre që kanë një dyshim për dhunë apo abuzim seksual ndaj fëmijëve, të denoncojnë menjëherë rastet në polici, për të mundësuar parandalimin apo marrjen në mbrojtje të fëmijëve si dhe arrestimin e dhunuesve. Megjithëse kjo kërkon thyerjen e tabuve shoqërore dhe kapërcimin e “turpit”, është në interesin më të lartë të fëmijës, që abuzimet të identifikohen sa më shpejt.
Agjencia Shetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve beson se duke nxitur përgjegjësinë e familjes dhe komunitetit për parandalimin, denoncimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, do të reduktohet  rreziku që fëmijët të bëhen viktima apo te riviktimizohen në të ardhmen.
 
I bëjmë thirrje drejtësisë të veprojë sa më shpejt, duke përdorur të gjitha mundësitë që ofron ligji për të dënuar abuzuesit. Njëkohësisht i bëjme thirrje strukturave publike për mbrojtjen e fëmijëve në nivel vendor të trajtojnë rastet me përparësi.  Gjithashtu i bëjme thirrje mediave të tregohen të kujdesshme me këto raste delikate dhe të respektojnë të drejtat e fëmijëve, duke mos publikuar të dhëna mbi identitetin e tyre.
Agjencia Shetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve do të intensifikojë punën e saj në vitin në vazhdim për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimet seksuale.

SHKARKO APP