Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Veizaj (Hajnaj) firmos me Drejtorin e Përgjithshëm i SELEC
Në funksion të koordinimit të përpjekjeve për rritjen e bashkëpunimit më të ngushtë ndërkombëtar për zbatimin e ligjit, u nënshkrua, më 12 dhjetor 2024, Marrëveshja Bashkëpunimit midis Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH-së) dhe Qendrës së Zbatimit të Ligjit të Europës Juglindore (SELEC).
Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Znj. Aida Veizaj (Hajnaj) dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i SELEC Dr. Oğuz Serkant Akin, në selinë e SELEC në Bukuresht, Rumani.
Akin, Drejtor i Përgjithshëm i SELEC u shpreh me këtë rast se “SELEC është i nderuar që ka një partner të ri dhe ka besim të plotë se ky bashkëpunim do të japë rezultate pozitive për të dyja palët”.
Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje Bashkëpunimi, BKH bëhet Partneri i 8-të Operacional i SELEC, pas miratimit të organit më të lartë vendimmarrës të SELEC, Këshillit.
Misioni i BKH-së është garantimi i zbatimit të ligjit në kryerjen e hetimeve cilësore në fushën e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim të ngushtë dhe nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, me qëllim parandalimin, zbulimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimi i organizuar në Republikën e Shqipërisë.