Drejtori i CIA vizitë surprizë në Tiranë. Takon Nishanin, Ramën dhe Kodhelin
Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) John Brennan zhvillojë sot një vizitë në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e SHBA në Tiranë.
Sipas njoftimit të Ambasadës, “Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) John Brennan vizitoi Shqipërinë për t’u takuar me drejtues të ndryshëm dhe për të diskutuar një gamë çështjesh përfshi sigurinë rajonale, bashkëpunimin kundër terrorizmit, shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, si dhe çështje të tjera dypalëshe”.
Gjatë vizitës së tij, Drejtori Brennan u takua me Kryeministrin Rama, Presidentin Nishani, Ministren e Mbrojtjes Kodheli, dhe drejtues të komunitetit të inteligjencës.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në një takim që mbajti me drejtorin e CIA John O. Brennan, deklaroi se vizita e tij në Shqipëri ishte për çështje të sigurisë rajonale.
Në një postim në rrjetin social ‘Facebook’, Kodheli shprehet se: “Sot në #Tiranë me drejtorin e #CIA John O. Brennan për çështje të sigurisë rajonale, luftën kundër terrorizmit dhe marrëdhëniet e shkëlqyera #Shqipëri-#SHBA”.
Po ashtu, kreu i CIA-s zhvilloi një takim me drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Çako takon shefin e CIA-s John Brennan: Bashkëpunim kundër terrorizmit
Drejtori i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako priti sot në një vizitë pune Drejtorin e CIA-s John Brennan.
Në takimin e zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Drejtori i CIA Brennan ka vlerësuar dhe përgëzuar bashkëpunimin e shkëlqyer me Policinë e Shtetit, veçanërisht me Drejtorinë e Antiterrorit.
Ky bashkëpunim ka dhënë rezultate pozitive në ndjekjen e çështjeve të përbashkëta. Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me agjencitë te tjera brenda dhe jashtë vendit është për t’u marrë shembull theksoi Brennan. Brennan siguroi për vazhdimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit nga ana e CIA-s.
Drejtori Çako ka falënderuar Brennan për mbështetjen dhe bashkëpunimin veçanërisht në fushën e terrorizmit si dhe siguroi Drejtorin e CIA-s se puna për rritjen e kapaciteteve në mbrojtje të sigurisë kombëtare, lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë prioritete kryesore të Policisë së Shtetit.
Ai shtoi se bashkëpunimi është në interes të mbrojtjes së interesave të të dy vendeve. Në këtë takim Çako shoqërohej nga zv.Drejtori Rebani Jaupi dhe Drejtori i Antiterrorit Gledis Nano.