Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, takim me strukturat e Antikontrabandës: Forcim luftës kundër paligjshmërisë
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja zhvilloi një takim me strukturat e Drejtorisë së Antikontrabandës, duke përcjellë një mesazh të qartë për forcimin e luftës kundër paligjshmërisë dhe duke i falënderuar për aksionet e ditëve të fundit.
Në fokus të takimit ishte rritja e efikasitetit në parandalimin dhe zbulimin e shkeljeve doganore, si dhe shtimi i pranisë në të gjithë territorin e vendit. Beja kërkoi më shumë vigjilencë dhe ndërgjegjësim të shtuar për rolin kyç që kjo drejtori ka në garantimin e një tregtie të ndershme dhe të sigurt.
Ai përgëzoi strukturën e Antikontrabandës për rezultatet konkrete të ditëve të fundit, ku brenda vetëm një jave u finalizuan me sukses tre operacione të rëndësishme kundër paligjshmërisë, duke e cilësuar këtë si një tregues të qartë të profesionalizmit dhe vendosmërisë në terren. Në mesazhin e tij, Drejtori i Përgjithshëm theksoi se Antikontrabanda nuk duhet parë si një “hallkë e dytë” e administratës, por si një strukturë me rol të drejtpërdrejtë dhe vendimtar në kontrollin e territorit.
“Pritshmëritë ndaj çdo punonjësi që mban këtë uniformë janë të larta”, u shpreh ai, duke garantuar mbështetjen e plotë institucionale për përmbushjen e misionit. Në përfundim, Beja e cilësoi strukturën e Antikontrabandës si “rojtaren e ligjshmërisë” në Administratën Doganore, duke nënvizuar se lufta kundër kontrabandës mbetet një prioritet i panegociueshëm.
KOHA JONË SONDAZH

