Drejtori i Shoqatës së Bashkive flet për ndarjen administrative në 4 rajone: Arsyeja përse ky është një ligj i keq

Drejtori i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali ka folur në studion e Fax Neës për situatën politike në vend, më konkretisht për ligjin e ndarjes administrative në 4 rajone duke theksuar se nuk është efektiv dhe nuk i prek shërbimet e qytetarëve.

“Ky është një ligj që efekti i tij nuk do ndihet qoftë në fshat në Konispol, qoftë në qytet në mes të Tiranës. Ligji për zhvillimin e rajoneve në kontekstin tim nuk është ligj që prek drejtpërdrejt shërbimet e qytetarëve. Ky ligj hyn tek kategoria e atyre ligjeve që ndërton spirale që fillojnë nga qeverisja vendore dhe aktorët poshtë e përfundojnë në institucionet pranë qeverisë shqiptare për të bërë politika lokale rajonale për ti harmonizuar, balancuar. Qytetarët ndjejnë ligje të mira kur forcohet Bashkia e Tiranës, e Kukësit, kur këshillat vendorë janë të fuqishme, transparente”, u shpreh Haxhimali.

Sa i përket pyetjeve të shumta nëse rajoni i jugut do të ketë vetëm një qytet ku merren shërbime dhe kështu do të ndodhë me të katërta rajonet, Haxhimali tregon se është kuptuar në kontekstin e gabuar. Në intervistën me gazetaren Rovena Neziri, bën të qartë se e keqja e këtij ligji është pikërisht fakti që nuk krijon dot një qendër të vetme, pra nuk e fuqizon bashkinë, por qeverinë.

“Nuk është kështu. Nëse partitë politike e kanë kuptuar kështu, kanë bërë shumë gabim, se kanë kuptuar fare. Partitë politike duhet të ishin shumë më të vëmendshme që në fillim duhet ta ndiqnin me të gjithë instrumentet. Ligji për ndarjen dhe zhvillimin territorial nuk është ligj që prek Kushtetutën. Këto katër rajone do të organizohen administrativisht por nuk do të kenë njësi për ti qeverisur, nuk do krijojnë unitete territorial me juridiksion, me kufi të caktuar në këto katër rajone. Ky ligj nuk do krijojë një qendër të vetme.

Pikërisht për të gjitha këto që nuk bën është i keq ky ligj. Pra ky ligj nuk ka asnjë lloj funksionaliteti se nuk i bën këto. Do ishte shumë mirë nëse do krijonte rajone dhe entitete ligjore me juridiksion pra nivele të dyta të qeverisjes vendore  që sot i kemi këshill të qarqeve që janë shumë të dobëta dhe jo funksionale. Janë disa burokraci që mua më dhemb se nuk e fuqizon bashkia, por nuk i heq bashkisë ndonjë kompetencë. Prandaj them është një ligj që nuk vlen se nuk i jep bashkisë, nuk shkon aty ku i dhemb qytetarit, por e forcon qeverinë sepse nëpërmjet këtij mekanizmi, kontrollon se ku do ti cojë paratë nëpërmjet kësaj agjensie”, u shpreh Haxhimali.

SHKARKO APP