Dritan Dajti shëtitje në ish-Bllok, SHKB padit policët
Lirimi për pak orë nga qelia e Dritan Dajtit vijon të trazojë institucionet që janë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka kallëzuar për “Shpërdorim detyre” policët që shoqëruan Dajtin në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, për trajtim në një klinikë private.
Nga ekspertiza rezultoi se njoftimi i lëvizjes së të dënuarit u krye me sms në sallën operative dhe nuk është vënë në dijeni Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Nga ana tjetër nuk është bërë një analizë risku për situatën si edhe të verifikohej mirë situata e të dënuarit Dritan Dajti, i cili më parë ka mundur të arratiset nga ambientet e Gjykatës së Tiranës. Në rastin konkret Dajti duhej të dërgohej në spitale shtetërore pranë burgut të Peqinit.
Më herët u lirua nga detyra edhe kreu i inistucionit të vuajtjes së dënimit në burgun e Peqinit Emin Shpata. Të njëjtin fat kishte edhe Drejtori i Policisë së Burgjeve, Bardhyl Kaçorri dhe Mjeku i burgut Peqin, Andi Andoni.