Droga e “Xibrakës”, Kolumbia sjell një prokurore në Tiranë

Autoritetet kolumbiane kanë dërguar në Shqipëri prokuroren speciale Y. Martinez, e cila ka kërkuar informacion për dy kolumbianët që u arrestuan në laboratorin e kokainës në Xibrakë të Elbasanit. Mësohet se ajo ka zhvilluar një takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka shkëmbyer edhe informacion me prokurorët shqiptarë për të arrestuarit Cesar Avila dhe Valther Moreno.

Kjo, në kuadrin e të dhënave që Prokuroria e Kolumbisë kërkon nga homologët e saj shqiptarë mbi rolin dhe aktivitetin e dy shtetasve kolumbianë, të cilët u arrestuan bashkë me disa shtetas shqiptarë në operacionin “Xibraka”.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se dy shtetasit kolumbianë të arrestuar në laboratorin e kokainës në “Xibrakë” të Elbasanit kishin njohuri të posaçme në përzierjen apo veçimin e kokainës nga tretësira të lëngshme.

Këto të dhëna të siguruara nga prokuroria shqiptare kanë zgjuar interesin e kolegëve të tyre kolumbianë, të cilët dyshojnë se Cesar Avila dhe Valther Moreno mund të jenë pjesë e ndonjë karteli kokainë ne Kolumbi.

Zyrtarisht, prokuroria nuk jep të dhëna rreth vizitës së prokurores speciale kolumbiane në Shqipëri, por mësohet gjithsesi se palët kanë shkëmbyer informacion të vlefshëm mes tyre.

Kujtojmë se Cesar Avila dhe Valther Moreno u arrestuan më 14.1.2015, në brendësi të një ish-magazine, të shndërruar në laborator përpunimi të lëndës narkotike kokainë, në Xibrakë, pranë Elbasanit.

Së bashku me dy shtetasit kolumbianë, u arrestuan edhe disa qytetarë shqiptarë, pjesë e një grupi të organizuar që dyshohej se sillnin në Shqipëri kokainë të papërpunuar dhe pasi e pastronin, e dërgoni në tregun ilegal gjerman.

 

SHKARKO APP