Drogë në dogana, Britania dhuron pajisje që kapin substanca të rrezikshme
Forcat Kufitare të Britanisë së Madhe dhuruan për Policinë e Shtetit, 3 pajisje për detektimin e lëndëve narkotike dhe të substancave të tjera të rrezikshme. Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua ceremonia e dhurimit të këtyre pajisjeve, që janë ndër më cilësoret.
Të pranishëm në ceremoni ishin drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, drejtori i departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Eduart Merkaj, drejtues të tjerë të lartë në Policinë e Shtetit, drejtori i Forcave Kufitare Ndërkufitare Ndërkombëtare, Nick Fowler, drejtori Rajonal për Forcat Kufitare Ndërkombëtare Jane Woolley, menaxheri Rajonal për Ballkanin Perëndimor i Forcave Kufitare Britanike i atashuar në Tiranë, Richard Lloyd, eEksperti i lartë i Forcave Kufitare Britanike Ndërkombëtare i atashuar në Tiranë, Jonathan Bardsley dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Veliu falënderoi përfaqësuesit e Forcave Kufitare të Britanisë së Madhe, për dhurimin e pajisjeve që do të shërbejnë për kryerjen e kontrolleve shtesë në zonat ku operon Policia Kufitare. Ai theksoi se përdorimi i tyre do të sjellë rritjen e sigurisë dhe identifikimin e saktë të drogërave e substancave të tjera kimike që zbulohen në pikat e kalimit kufitar. Gjithashtu, Veliu vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me Policinë e Britanisë së Madhe, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar.