Drogë në hotel e vjedhje: Arrestohen 9 persona në Tiranë, policia jep detajet
Nëntë persona janë vënë në pranga në Tiranë, për vepra të ndryshme penale, dy prej tyre, të shpallur në kërkim.
Njoftohet se në flagrancë janë arrestuar në ambientet e një hoteli në rrugën “Artan Lenja”, I. Gj., 19 vjeç, S. Sh., 36 vjeç, A. Q., 43 vjeçe dhe A. T., 28 vjeçe. Këtyre të fundit, gjatë kontrolleve fizike, policia u ka gjetur doza kokaine dhe kanabisi që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga hetimet ka rezultuar se një nga personat që iu kishte sjellë lëndën narkotike ishte I. Gj.
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan E. H., 36 vjeç, pasi në rrugën “Myslym Shyri”, ka tentuar të vjedhë në një dyqan, duke e kërcënuar me një mjet lodër (pistoletë çakmak), M. K., të cilit i ka kërkuar një shumë lekësh.
Në pranga është vënë edhe një i mitur me iniciale M. K., pasi në rrugën “Besëlidhja”, në dyqanin e celularëve të A. P., ka vjedhur 15 telefona celular të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
U kap gjithashtu dhe u ndalua E. Z., 34 vjeç, pasi Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndërkohë, u ndalua edhe 26-vjeçari I. L., i shpallur në kërkim për “Vjedhje”.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin e B. K., 34 vjeç, pasi në rrugën “Konferenca e Pezës”, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse dhe në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.