Droni kap shkelësit në rrugë, gjoba dhe për tonazhin tek mjetet e transportit

Policia Rrugore ka bërë një bilanc të punës për javën që lamë pas, duke bërë të ditur se janë ndëshkuar 589 drejtues automjetesh si rezultat i monitorimit me anë të dronit. Ndërkohë, janë ndëshkuar edhe mjetet e transportit që kanë kaluar tonazhin e lejuar.

“Monitorim intensiv me dronë edukues dhe mjete inteligjente shpejtësimatës për parandalimin e aksidenteve rrugore. Njësia Operacionale e Policisë Rrugore ka intensifikuar kontrollet me mjete inteligjente shpejtësimatës dhe me dronë edukues, në të gjithë territorin e vendit, duke bashkëpunuar dhe me strukturat vendore të Policisë Rrugore.

Përgjatë javës që lamë pas, si rezultat i monitorimeve intensive nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore janë konstatuar shkelje të shumta, që janë burim potencial për përfshirje në aksidente rrugore. Si rezultat i monitorimit me dronë edukues, janë evidentuar, 589 drejtues automjetesh, të cilët janë ndëshkuar me masa administrative që variojnë nga 3 000 deri në 10 000 lekë të rinj.

Janë evidentuar dhe ndëshkuar për shpejtësi tej normave të lejuara me masë plotësuese pezullim të lejes së drejtimit 274 drejtues automjetesh, shpejtësi që varionin 40 deri në 120 km/h në orë mbi normën e lejuar. 356 drejtues automjetesh që përdorin aparatin celular në akset rrugore nacionale dhe 371 drejtues mjetesh që nuk kishin vendosur rripin e sigurimit.

Janë vendosur 122 masa administrative për mosvendosje të kaskës mbrojtëse gjatë drejtimit të motomjeteve, 89 masa për xhama të errësuar dhe 145 masa për mosdhënie përparësi këmbësorëve. Janë evidentuar 78 drejtues mjetesh me disa shkelje, shpejtësi mbi normën e lejuar, pa vendosur rripin e sigurimit dhe duke përdorur celularin gjatë drejtimit të automjetit. Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe t’iu japin përparësi këmbësorëve.

Njëkohësisht dhe për këmbësorët që të tregojnë kujdes maksimal në kalimin nga njëri kah i rrugës në tjetrin, të respektojnë vijat e bardha dhe sinjalistikën rrugore në tërësi, si dhe në ato vend ku sinjalistika mungon, të kontrollojnë rrugën para se të fillojnë lëvizjen. Të gjitha akset rrugore nacionale dhe urbane monitorohen me mjete inteligjente 24/7”, njofton policia

SHKARKO APP