Dua Lipa, me zemër të thyer, pas anulimit të koncertit në Indonezi
Dua Lipa ka thënë se ndihet e thyer pasi u detyrua të anulojë një koncert për arsye sigurie.
Këngëtarja 29-vjeçare me prejardhje nga Kosova do të performonte në Xhakarta, Indonezi gjatë fundjavës, në kuadër të pjesës aziatike të turneut të saj “Radical Optimism”, por ajo e ka anuluar koncertin për shkak të shqetësimeve për inskenimin.
“Më zemër të thyer më duhet t’ju njoftoj se nuk do të mund të performoj në Xhakartë këtë të shtunë, më 9 nëntor. Unë jam atje në vendin tuaj të mrekullueshëm dhe gati për të performuar, por është vendosur që performanca nuk është e sigurt për të vazhduar për shkak të problemeve të sigurisë me vënien në skenë. Mezi e prisja këtë natë dhe më dhemb vërtet që nuk mund të performojmë për të gjithë ju, veçanërisht pas një kohe kaq të gjatë që nga performanca ime e fundit në Xhakartë”, pati shkruar Dua në Instagram.
Ajo ka njoftuar po ashtu fansat që rimbursimet do të bëhen për të gjithë ata që kishin blerë bileta për koncertin.
Ndërkohë, së fundmi është spekuluar se Dua do të publikojë një album live.
Ylli i popit është ngjitur në skenën e “Royal Albert Hall” në Londër muajin e kaluar, dhe së fundmi është zbuluar se jo vetëm që shfaqja është filmuar për një speciale televizive, por gjithashtu do të publikohet si një album.
“Dua donte t’u kthente diçka fansave të saj pas një viti të mrekullueshëm. Ajo ka bërë publikime të drejtpërdrejta më parë, si për shembull me performancën e saj në Brit Aëards, por kjo është hera e parë që ajo do të publikojë një live të plotë si album”, ka thënë një burim i afërt për gazetën “The Sun”.