Duhanpirësit në rrezik nga virusi? Ekspertët: E vërteta e hidhur që…
A prek pandemia e Covid-19 edhe personat që janë duhanpirës? Të paktën personat që kanë ndërruar jetë edhe në Shqipëri, kanë pasur sëmundje bashkëshoqëruese. Akademikët kinezë gjatë vëzhgimit të tyre zbuluan se një e katërta e pacientëve të infektuar me Covid-19, që ndodheshin në gjendje të rëndë shëndetësore ose humbën jetën ishin duhanpirës. Kurse Rregullatori Shëndetësor i Bashkimit Evropian, vendosi që pirja e duhanit mund t’i bëjë njerëzit më të ndjeshëm ndaj komplikimeve serioze, sidomos nga një infeksion kaq i rrezikshëm, siç është virusi korona.
Pirja e duhanit, një zakon vrasës i njohur botërisht për shkaktimin e kancerit, dëmton shëndetin e mushkërive dhe rrit rrezikun e infeksioneve të tjera të frymëmarrjes, siç mund të jetë gripi. Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, (ECDC) përfshiu duhanpirësit në mesin e pacientëve potencialisht më të prekur nga koronavirusi i ri. Megjithatë shkencëtarët pranuan se të dhënat që janë në dispozicion janë ende të kufizuara.
“Referuar raporteve që na vijnë nga Kina, duhanpirësit duket se janë shumë të përfaqësuar në grupet e njerëzve që janë të infektuar me virusin, të cilët paraqesin simpotma ose të buta ose të forta. Këto vëzhgime për sëmundje më të rënda te duhanpirësit dhe njerëzit që nuk janë duhanpirës duket se paralelizon me atë që shihet tek viruset e frymëmarrjes. Ne e dimë që thithja e duhanit të djegshëm, të çfarëdo lloji, duket se shoqërohet me sëmundje më të rënda nga viruset e frymëmarrjes”, u shpreh Prof. Taylor Hays.