Duka: Edhe Ronaldo iku nga Sportingu

 

 

Pavarësisht gabimit në përcaktimin e skuadrës së Ronaldos, pasi në të vërtetë ka qenë Sportingu dhe jo Porto, mesazhi i Armand Dukës ka qenë i qartë. I ftuar në emisionin “Ora Skaner”, kreu i FSHF-së nuk ka lëvizur nga deklarata e tij se trajneri nuk mund të kërkojë shumë më shumë për vijimin e kontratës. “Nuk jemi në kërkim të një trajneri. De Biazi nuk na ka çuar i vetëm në Kombëtare dhe as Loriku apo Etriti. Është një sport kolektiv dhe askush nuk bën asgjë i vetëm”, është shprehur ndër të tjera kreu i institucionit të futbollit në vend gjatë emisionit sportiv.

“De Biazi ka një kontratë që përfundon në vitin 2017, jo vetëm në përfundim të Europianit. Në fund të tij, ai ka të drejtën që të vendosë nëse do të vazhdojë, apo do të largohet. Megjithatë, në kontratë janë të parashikuara të gjithë penalitetet, në rast të një largimi të mundshëm. Ka penalitete morale, por edhe kontraktuale. Vullneti ynë është më shumë se 100% që ai të qëndrojë. Qoftë nëse kalojmë grupet në Francë, apo edhe sikur të mos marrim asnjë pikë. Në Europian shkuam të gjithë bashkë. Nuk na çoi as De Biazi, as Lorik Cana dhe as Etrit Berisha të vetëm. Të gjithë bashkë e bënë të mundur këtë gjë. Është një lojë kolektive ku duhen të gjithë komponentët për të plotësuar të tërën.

 

Kontrata “Është një diskutim për të cilin nuk mund të futemi në shifra. Megjithatë, edhe Porto nuk e mbajti dot Ronaldon (në fakt Kristiano Ronaldo ka qenë pjesë e Sportingut të Lisbonës). Mbase edhe De Biazi ka arritur një nivel që ne nuk e mbajmë dot. Nëse ai mendon që karriera e tij ka arritur një pikë që duhet të ketë një tjetër këndvështrim, atëherë nuk kemi se çfarë të bëjmë. Ne nuk po kërkojmë trajner. Kjo është e sigurt. Nuk dua ta zbeh aspak rolin e tij, pasi është përgjegjësi kryesor që ka udhëhequr grupin në sigurimin e kualifikimit. Megjithatë, ka pasur një armatë të tërë nga pas që kanë dhënë kontributin e tyre. Një staf që përbëhet nga 11 veta që kanë bërë maksimalen. Tramexani ka bërë jashtëzakonisht shumë. Gjithashtu, Lala fillimisht dhe, më pas, edhe Bogdani kanë ndihmuar shumë në këtë rrugëtim. Edhe stafi administrativ, me në krye Alban Bushin, kanë bërë shumë dhe kanë dhënë kontributin e tyre”, thotë Duka në intervistën e tij.

Fatbardh Jera: De Biazi, pa identitet

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Fatbardh Jera, i ftuar në emisionin sportiv në TVSH “Rubrika Sportive”, ka deklaruar për trajnerin De Biazi se: “Nuk ia mohon askush vlerat dhe meritat që ka, por një trajner, i cili paguhet 300 mijë euro, nuk mund të kërkojë 3 milionë. Ne nuk mund t’ia japim atë shumë. Përpara se të vinte në Shqipëri, ishte një trajner pa identitet dhe nuk kishte drejtuar në nivele të larta”

SHKARKO APP