Dule: Koalicioni, jo institucional. Marrëdhëniet Rama-Meta janë personale

 

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, duke folur për Zërin e Amerikës në SHBA, tha se Shqipëria është përballur me një lajm të keq, që nuk duhet anashkaluar. “Së pari kemi një lajm të keq, vendi nuk do hapë negociatat me BE-në dhe ky lajm nuk duhet anashkaluar,” tha Dule. Duke folur për reformën në drejtësi, Dule tha se “nëse do ishte për klasën politike shqiptare, ajo do ishte shumë e kënaqur me gjendjen e drejtësisë”. “Por nëse ekziston një dinamikë për ndryshim, është falë presionit nga partnerët tanë, SHBA dhe BE”, shtoi ai. Më pas ai kritikoi ashpër qeverisjen e Edi Ramës. “Fatkeqësisht qeveria ‘Rama’ nuk po hap një cikël të europianizimit të vendit”. Duke komentuar koalicionin në pushtet, ai tha se nuk ka koalicion, por vetëm një marrëdhënie Rama-Meta.  “Ne nuk kemi pasur një koalicion, por një marrëdhënie ndërpersonale Meta-Rama dhe marrëdhëniet ndërpersonale karakterizohen nga dobësitë. Rama nuk pranoi kurrë institucionalizimin e koalicionit,” tha Dule. “Rama nuk është konsultuar me aleatët, madje edhe me vetë strukturat e partisë së tij”. I pyetur se përse bën aleancë me këto parti, kur ka kaq shumë kritika, Dule tha: “Me sistemin aktual është e detyruar prania e një partie në koalicion. Forcat politike në vend nuk shquhen për demokraci të brendshme, ndaj lidershipi nuk mund të ketë sjellje demokratike”.

SHKARKO APP