Duma: Listat e hapura vetëm me referendum! Heqja e koalicioneve, lojëra politike të Ramës se i trembet opozitës
Anëtarja e kryesisë së PD-së, Grida Duma, e ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” tha se listat e hapura duhet të bëhen vetëm me referendum mbarëpopullor, ku të përfshihen të gjithë qytetarët shqiptarë.
“Meritojnë të bëhen në nivel referendar me të gjithë qytetarët, nëse flitet për listat e hapura djalli fshihet pas detajeve. Sistemi i Kosovës është me lista të hapura. Sot po diskutohet një slogan, “Listat e hapura”, por ne u vëmë emër të bukur gjërave por aplikimi i tyre është një dramë. Sot ende vëmë në diskutim marrëveshjen e 5 qershorit që është themeli. Sot diskutojmë listat e hapura, por në të vërtetë ne rrezikojmë më shumë se me lista të mbyllura, ne përsëri dështojmë, nuk ka sistem që i bën derman politikës shqiptare. Nëse nuk kalohet me një referendum mbarë qytetar nuk ka lista të hapura. Secili voton për ata personazhe që i kanë parë të bëjnë politikë, influencë kanë shumë, por politikën se njohin fare“, thotë Duma.
Ajo gjithashtu shprehet se qytetari nuk di çfarë të bëjë, kur partia vë para tyre një politikan, duke theksuar se populli voton atë që i ofrojnë.
Ndryshimi i sistemit për Grida Dumën janë lojëra politike të Edi Ramës që kërkon t’i bëjë brenda natës pa popullin dhe pa bashkëpunimin me partitë politike. Duma shprehet në “5 pyetje për Babaramon” se këtë ndryshim sistemi dhe heqje të koalicioneve Rama po i bën me vetveten dhe kjo për faktin se i trembet koalicioni të madh opozitar.
Pragun e i kërkuar nga opozita parlamentare për partitë e vogla, Duma e cilësoi si absurde pasi pakica po tenton t’i rrisë pragun vetvetes në zgjedhje duke treguar hapur se këto sipas Dumës janë lojëra të Ramës.
“Çdo të thotë të ndryshosh sistemin brenda natës, çfarë është kjo? Me popullin nuk e bën, nuk e bën me partitë politike, me kë po e bën? Me opozitën në parlament? Ato nuk janë palë politike, Rama por po tenton ta bëjë me vetveten. Nëse do të kishin interes demokracinë e vendit nuk do të shkonin të rrisnin pragun e partive të vogla duke i lënë ata jashtë. Pakica kërkon të rrisë pragun e vetvetes, që këtu bie kjo kërkesë e saj që përfaqësohen gjoja si kundërshtare, por o bëjnë një lojë. Rama nuk do e përçajë dot kurrë opozitën e bashkuar, ne jemi të unifikuar”, tha Duma.