Dumani shkoi për të vrarë por u kap, dosjet që marrin dinamikë të re

Nuredin Dumani, personi më i kërkuar nga Policia e Shtetit, u vu në pranga mbrëmjen e së martës, vetëm dy orë pas përplasjes që mendohet se ka ndodhur mes tij dhe Talo Çelës. Në videon e publikuar nga Policia, Dumani shihet gjysmë i zhveshur me pranga në duar dhe i fashuar në shpinë, ku mori një plumb.

Nuredin Dumani u dërgua në Spitalin e Traumës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dumani dyshohet se ishte në Elbasan pasditen e së martës për të kryer një atentat. Por misioni kriminal besohet se ishte dekonspiruar dhe “Hija”, siç njihet ai në botën e krimit, ishte shitur nga persona të besuar tek rivalët.

Historitë nisin me vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës më 27 prill 2020 dhe si edhe Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia në 2 mars 2020, ku Nuredin Dumani akuzohet së bashku me Talo Çelën. Hetuesit kanë dyshime se mes Dumanit dhe Çelës ka patur mosmarrëveshje që pas eleminimit në Sinaballaj të Rrogozhinës të Klevis Kapllanajt.

Edhe prokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi pranoi faktin se arrestimi i Dumanit pritet t’i japë një dinamikë të re hetimit të disa dosjeve, jo vetëm në Prokurorinë e Elbasanit, por edhe në prokurori të tjera të vendit.

SHKARKO APP