Durrës, banorët protestë para bashkisë, kaos dhe pasiguri për dëmshpërblimet
Përfaqësues të disa pallateve kanë protestuar sot para bashkisë.
Ata shprehen se ka kaos në përcaktimin e kategorive të dëmit të banesave nga tërmeti në Durrës.
Banorët shprehen se për disa pallate nuk janë të sigurt nëse janë të banueshëm, pasi nuk ka një vendim përfundimtar.
Ndërkohë, disa të tjerë shprehen se u është ndërprerë bonusi i qirasë dhe u janë dhënë vetëm 2.5 milionë lekë dëmshpërblim.
“Shtëpinë e kam të banuar, pse duhet të bëhen këto. Kam 10 ditë që vij. Nuk po e gjej të drejtën time. Nuk ke bërë aplikimin online më thonë. Nuk kam qenë këtu, s’na la pandemia. Jemi pa shtëpi.”
“Nuk e kishim ditur se pallati ynë është i pabanueshëm, ndërsa tani e nxjerrin si të banueshëm.”
“Këtu punohet disa të nënës dhe disa të njerkës.”
“Kemi konstatimin e parë që ishte i pabanueshëm. Pastaj nga aktekspertiza pallati kalon në D4 ose D5, sepse sipas aktit kërkohen vlerësime të thelluara. Ne kërkojmë që ky akt të vihet në zbatim. Sipas këtij akti nuk na takon 2.5 milionë, dhe pallati kërkon rindërtim të thelluar. Duhet një grup inxhinierësh që të vendosin nëse pallati do të shembet apo jo. Këta thonë merrni 2.5 milionë dhe futuni brenda. Si të futemi brenda kur instituti i ndërtimit thotë që ka çarje themelesh?”
“Është bllokuar bonusi i qirasë dhe unë duhet të futem në një pallat të pasigurt me 2.5 milionë.”