Durrës: I sëmuri me depresion rrëmben me forcë 11-vjeçaren
Policia e Durrësit sqaroi zyrtarisht ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm kur një burrë i sëmurë mbajti peng për pak orë një vajzë 11 vjeçare.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit në Kodër Rrashbull, ku shtetasi Arben Kabashi, 46 vjeç, ka kapërcyer murin rrethues dhe është futur në banesën e komshiut , ku ka marrë me forcë në banesën e tij vajzën e komshiut , shtetasen e mitur, Xh.K. 11 vjeçe.
Në banesë ndodheshin vetëm tre vajzat pasi prindërit kishin ikur në punë më herët. Sipas policisë, 46 vjeçari me depresion mbante në dorë një thikë dhe kërcënonte se do të vriste vajzën.
Policia ka ndërhyrë, duke bërë të mundur lirimin e vajzës.
“Ndodhur ne këto kushte, ne pamundësi të faktorit kohë për të pritur forcat me te specializuara për të tilla ndërhyrje, efektivat e Policisë Durrës duke pare qe po i kërcënohej seriozisht jeta vajzës, me iniciativë dhe me profesionalizëm kane ndërhyrë me shpejtësi në disa drejtime duke i tërhequr vëmendjen agresorit. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të specializuar të Policisë së Durrësit është bërë e mundur që e mitura të nxirret nga banesa e shtetasit Arben Kabashi dhe është dërguar në banesën e saj”, sqaron policia.
Fatmirësisht vajza është në gjendje të mirë shëndetësore por e traumatizuar psikologjikisht ku policia menjëherë i ka çuar një psikologe.
Në banesën e agresorit ishte edhe nëna e tij, ku falë ndërhyrjes së specializuar është bërë e mundur nxjerrja e saj nga banesa.
Vijojnë përpjekjet dhe negociatat e Policisë së Durrësit së bashku me grupin e negociatorëve të RENEA-s për dorëzimin e shtetasit Kabashi./ORA
KOHA JONË SONDAZH

