DW: Gjashtë muaj pas sulmit, Ukraina e re është makthi i Putin

Në zi dhe vuajtje, por me vullnet të fuqishëm Ukraina feston sot Ditën e Pavarësisë, gjashtë muaj pas agresionit të Rusisë. Një Ukrainë e re është shfaqur dhe fuqia e saj po rritet, mendon Roman Goncharenko.

“Pse nuk e vizitova këtë vend para luftës?”, shkruante këto ditë një gazetare gjermane në Twitter. Ajo ishte e mërzitur që nuk kishte parë qytetet madhështore të Lvivit ose Odesës pa pengesa. Kjo është një pyetje që e bëjnë shumë në Perëndim, pas agresionit rus në Ukrainë me 24 shkurt. Njerëzit e medias, politikanët dhe ndihmësit e shumtë ishin gjatë kësaj periudhe për herë të parë atje. Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në 1991, ky vend kurrë nuk ka qenë kaq shumë në qendër të vëmendjes.

Kolegja zemërohet me të drejtë. Ajo ka humbur diçka që nuk do të kthehet. Dhe këtu bëhet fjalë për më shumë se vetëm për gjurmët e dukshme të luftës. Ukraina e vjetër, post-sovjetike po vdes nga bombardimet ruse. Po vdesin njerëz, po shkatërrohen shtëpi, fabrika – dhe iluzione. Marrëdhëniet pozitive, pothuajse vëllazërore me Rusinë, nuk do të jenë kurrë të njëjta si para luftës. Nuk mund të ishte më e madhe ndarja mes dy popujve, e cila filloi pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Urrejtja dhe zemërimi do të mbahen mend për breza të tërë.

Kërcënimi më i madh në 100 vjetët e fundit

Me një përzierje trishtimi, lotësh dhe sfidash, Ukraina feston Ditën e Pavarësisë më 24 gusht – për të tetën herë në mes të luftës. Këtë herë data është një pikë kthese e veçantë, sepse në këtë ditë kaluan gjashtë muaj nga dita që kur Rusia u përpoq të shkatërronte barbarisht pavarësinë e Ukrainës. Bilanci i deritanishëm: Ukraina po gjakoset dhe po vuan, por po qëndron në këmbë. Ajo po lufton!

Kërcënimi për vendin dhe popullin e tij është po aq i rëndësishëm sa ishte edhe 100 vjet më parë. Në atë kohë, bolshevikët rrëzuan pavarësinë e shkurtër të Ukrainës dhe më pas rusizuan Ukrainën sipas traditës së Rusisë cariste. A mund të përsëritet historia?

Nuk ka fije dyshimi që presidenti rus Vladimir Putin synon të bëjë pikërisht këtë. “Denazifikimi” i shpallur nga ai i Ukrainës si qëllim propagandistik nuk është gjë tjetër veçse de-ukrainizimi. Nga territoret e pushtuara nga Rusia po vijnë raporte se si çdo gjë ukrainase, veçanërisht gjuha, po shtypet dhe shkatërrohet. Plani i çmendur i Putinit është të asgjësojë Ukrainën me një luftë shkatërrimtare. Por ai do të dështojë.

“Brezi i Pavarësisë” po lufton

Bosi i Kremlinit ka nisur fushatën e tij kundër Ukrainës së vjetër. Ajo i dukej Putinit një pre e lehtë: ekonomikisht dhe ushtarakisht shumë më e dobët se Rusia, shpesh në mosmarrëveshje politike, me një shoqëri të ndarë dhe përçarë, e mbështetur vetëm me gjysmë zemre nga Perëndimi. Pjesa më e madhe e kësaj ka qenë fakt, por gabimi i Putinit ishte kolosal. Gjashtë muaj më vonë, Putini po merret me një Ukrainë të re që sapo po shfaqet në sipërfaqe. Konsolidimi ka filluar më herët, por agresioni rus përshpejtoi gjithçka. Ukraina e re po i thotë shpejt lamtumirë gjithçkaje që e ka lidhur vendin me Rusinë për dekada, madje edhe shekuj: gjuhës, emrave të rrugëve, monumenteve. Më e rëndësishmja: Ukraina e re po mëson të mbrohet. Dhe ajo po mëson shpejt.

Kjo Ukrainë e re është ushtarakisht më e fortë se kurrë më parë dhe po bëhet gjithnjë e më e fortë – me ndihmën perëndimore sigurisht, por edhe më mjetet e veta. Ndryshe nga 100 vjet më parë, Ukraina e sotme ka një avantazh vendimtar: “Brezin e pavarësisë”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj, i lindur në Bashkimin Sovjetik, është vetëm njëri prej të “vjetërve” në moshën 44-vjeçare. Thelbi i rezistencës, megjithatë, janë të rinjtë dhe të rejat 20 deri në 30 vjeç që sakrifikojnë jetën e tyre në front, furnizojnë pa u lodhur ushtrinë si vullnetarë civilë ose kujdesen për personat e zhvendosur brenda vendit. Është një brez për të cilin gjithçka ukrainase është një çështje e qartë. Kjo është ajo për të cilën ky brez lufton dhe që e do, dhe për këto dëshiron të fitojë. Kjo Ukrainë e re është makthi i Putinit./DW

SHKARKO APP