DW: Linja ajrore kombëtare gjermane Lufthansa blen linjën ajrore të Italisë, ITA

Linja ajrore kombëtare gjermane Lufthansa lejohet nga Brukseli të blejë linjën ajrore italiane ITA, pasardhësen e Al-Italias. Ministri italian i Ekonomisë e quan këtë “sukses të madh italian, sukses të madh gjerman”.

Komisioni Evropian tha të mërkurën se miratoi planet e linjës ajrore kombëtaregjermane Lufthansa për të marrë kontrollin e përbashkët të ITA Airways të Italisë për 325 milionë euro.

“Miratimi është i kushtëzuar nga pajtueshmëria e plotë me zgjidhjet e ofruara nga Lufthansa” si dhe Ministria Italiane e Ekonomisë dhe Financave, thuhet në një deklaratë të Komisionit.

“Edhe pse ITA aktualisht po performon mirë, qëndrueshmëria e saj afatgjatë si linjë ajrore e pavarur do të mbetet shumë e pasigurt pa transaksionin”, shtoi Komisioni.

Miratimi i Brukselit vjen pasi rregullatorët thanë se ishin të kënaqur që kishte mjaft presion konkurrues në treg. Mbikëqyrësi i konkurrencës i BE tha se ishte i kënaqur që “mbetet një nivel i mjaftueshëm i presionit konkurrues”.

Problematika e konkurrencës

Margrethe Vestager, zëvendës ekzekutive e Komisionit përgjegjëse për politikën e konkurrencës, tha se Lufthansa dhe autoritetet italiane kishin trajtuar shqetësimet nëse blerja do të ndikonte negativisht në konkurrencë.

Sipas Komisionit, alternativa për lidhjet midis Italisë dhe rajonit fitimprurës tëEvropës Qendrore ishte konkurrenca e kufizuar nga Ryanair.

Për të lehtësuar shqetësimet e rregullatorëve të BE-së, Lufthansa dhe qeveria italiane ranë dakord të lehtësojnë funksionimin e fluturimeve me distanca të shkurtra të linjave ajrore rivale për në Evropën Qendrore dhe të ndajnë vendet e uljes në aeroportin e Milanos për të zvogëluar dominimin e mundshëm të Lufthansa-s.

“Paketa e zgjidhjes e propozuar nga Lufthansa dhe MEF për këtë marrëveshje ndërkufitare adreson plotësisht shqetësimet tona të konkurrencës, duke siguruar që të ruhet një nivel i mjaftueshëm i presionit konkurrues në të gjitha rrugët përkatëse”, tha Vestager.

Drejtori Ekzekutiv i Lufthansa-s, Carsten Spohr tha në një deklaratë: “Miratimi nga Brukseli është një lajm i shkëlqyer për ITA Airways dhe Lufthansa dhe veçanërisht për të gjithë pasagjerët që fluturojnë drejt dhe nga Italia”.

“Vendimi është gjithashtu një sinjal i qartë për trafikun ajror të fortë në Evropë, i cili mund të mbizotërojë me sukses në konkurrencën globale”, shtoi Spohr.

Ministri italian i Ekonomisë e mirëpret masën

“Giancarlo Giorgetti, ministri italian i Ekonomisë, deklaroi në një konferencë shtypi në Romë: “Ky përfundim pozitiv është një sukses i vërtetë. “Është një sukses i madh italian, është një sukses i madh gjerman, është një sukses i madh evropian”.

ITA u krijua në vitin 2020 pas ristrukturimit të linjës ajrore kombëtare të falimentuar Alitalia. Majin e kaluar, Lufthansa ra dakord me qeverinë italiane për një pakicë prej 41% në ITA.

Në kushte të caktuara, linja ajrore gjermane do të blejë një shtesë prej 49% të aksioneve të ITA duke filluar nga viti 2025. Ajo gjithashtu mund të marrë kontrollin e 10% të mbetur më vonë./DW/

SHKARKO APP