“Dy gratë iraniane do vrisnin muxhahedinët në Tiranë”

“Nëse shërbimet sekrete të Iranit zbulojnë që jam në Shqipëri, kjo vë në rrezik jetën e të afërmëve dhe shokëve të mi, që janë ende në kampet Ashraf dhe Liberty në Irak por edhe jetën time. Jam mirënjohës për mikpritjen në Shqipëri, jemi nën kujdesin e shtetit shqiptar por dora e shërbimeve sekrete iraniane mund të arrijë edhe këtu. Organizata jonë, e themeluar në vitin 1965, ka shpresë të madhe që regjimi i Iranit do të përmbyset një ditë. Ky do jetë një zhvillim pozitiv për gjithë Lindjen e Mesme, pasi Irani eksporton terroristë kudo në botë”.

Kështu thotë për Dojçe Velen, Farzin Bahadur Goudarzi, një nga muxhahedinët iranianë që ka mbërritur në Tiranë.

Sa reale është frika e tij nga shërbimet sekrete iraniane?

Artan Hoxha, gazetar i mirënjohur investigues në Tiranë, thotë se nisur nga kapacitetet e pamjaftueshme logjistike të policisë dhe strukturave të Antiterrorizmit në Shqipëri, frika e Farzin Bahadur Goudarzi nuk është pa baza.

“Irani i konsideron muxhahedinët terroristë, armiq potencialë të regjimit që kërkojnë ta rrëzojnë atë. Nuk përjashtohet mundësia që ata të jenë objekt i akteve subversive nga shërbimet sekrete iraniane. Shërbimet tona të antiterrorizmit janë njoftuar vitin e kaluar nga shërbimet sekrete të vendeve partnere që në Shqipëri kishin hyrë dy gra, të njohura si ekzekutore për të ekzekuruar drejtues të grupit të muxhahedinëve, që strehohen në Shqipëri. Misioni i tyre u dekonspirua dhe ato dolën nga territori shqiptar, pasi policia rriti shumë kontrollet. Për garantimin e jetës së muxhahedinëve në Shqipëri përveç vëmendjes së shtetit shqiptar hyn në lojë bashkëpunimi me vendet partnere të NATO-s kryesisht SHBA-në,” thotë Artan Hoxha.

Por sa do të jetë numri i muxhahedinëve që do të vijnë gjatë këtij viti në Shqipëri për t’iu bashkuar Bahadur Goudarzi-t e grupit të tij?

Mediat ndërkombëtare, mes tyre edhe VOA, raportojnë për 2000 syresh.

Por Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, tha të enjten në Parlament, se“është e pavërtetë që qeveria ka marrë vendim për strehimin e 3000 muxhahedinëve, kjo është një marrëdhënie e nisur që nga koha e qeverisë së kaluar”.

SHKARKO APP