Dy mjete përplasen gjatë parakalimit të gabuar, tre të plagosur
Një aksident i rëndë rrugor është shënuar në aksin nacional Pushimi i Shoferit–Fier Shegan, në dalje të fshatit Rrupaj. Sipas të dhënave paraprake, përplasja ka ndodhur mes dy automjeteve, ku njëri prej tyre, me targa greke, dyshohet se ka tentuar një parakalim të gabuar ndaj një mjeti me targa italiane. Si pasojë e manovrës së rrezikshme, automjeti me targa italiane ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në kanal.
Në automjetin që doli nga rruga udhëtonin tre persona, një çift bashkëshortësh dhe djali i tyre i rritur. Të tre janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës, me ndihmën e dy ambulancave. Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe kanë marrë masa për menaxhimin e trafikut.
Ky segment rrugor vijon të mbetet një pikë problematike për shkak të parametrave të kufizuar të rrugës dhe fluksit të lartë të automjeteve, duke u përfshirë herë pas here në aksidente.
KOHA JONË SONDAZH

