Dy operacione shpëtimi në Himarë, në ndihmë të turistëve të bllokuar
Policia Kufitare e Himarës ka realizuar me sukses dy operacione shpëtimi gjatë 24 orëve të fundit në zonën e Gjirit të Filikurit, duke u ardhur në ndihmë pesë turistëve të huaj që u përballën me situata emergjente.
Sipas autoriteteve, ndërhyrjet e shpejta të efektivëve bënë të mundur lokalizimin dhe evakuimin në kohë të katër turistëve që kishin mbetur të izoluar në det për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, si dhe të një turisteje australiane që kishte pësuar dëmtime fizike dhe kishte nevojë për ndihmë të menjëhershme.
Ngjarja e parë përfshiu katër turistë të huaj, dy prej tyre shtetas suedezë dhe dy të tjerë nga Mbretëria e Bashkuar. Ata kishin nisur një udhëtim me kajak nga zona e Potamit drejt Gjirit të Filikurit, por për shkak të erërave të forta dhe dallgëve humbën kontaktin me grupin dhe mbetën të bllokuar në det. Pas marrjes së njoftimit, Policia Kufitare organizoi menjëherë operacionin e kërkimit përgjatë vijës bregdetare. Pas disa kërkimeve, turistët u gjetën në afërsi të zonës së njohur si “Guri i Kuq” dhe u transportuan në siguri.
Rasti i dytë kishte të bënte me një turiste australiane, e cila kërkoi ndihmë pasi kishte pësuar lëndime dhe nuk mund të largohej vetë nga Gjiri i Filikurit. Për shpëtimin e saj u angazhua një mjet lundrues i Policisë Kufitare, i cili arriti ta lokalizonte dhe ta transportonte drejt Portit të Himarës. Më pas, turistja iu nënshtrua trajtimit mjekësor në spital.
Pas përfundimit të operacioneve, turistët shprehën mirënjohjen e tyre për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar nga forcat e Policisë Kufitare. Autoritetet bëjnë me dije se mbeten në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe vizitorëve, duke i ftuar të kontaktojnë numrin emergjent 112 në çdo rast nevoje.
KOHA JONË SONDAZH

