
Dy 20-vjeçarë janë arrestuar nga Policia e Gjirokastrës, pasi u kapën duke transportuar kundrejt pagesës katër emigrantë që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri nga kufiri me Greqinë.
Të rinjtë u ndaluan në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, teksa udhëtonin me një automjet tip “Volkswagen”. Sipas policisë, ata nuk iu bindën urdhrit të efektivëve për të ndaluar. Në kuadër të operacionit të koduar “Long Wait”, u sekuestruan automjeti dhe dy aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, për veprat penale të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe mosbindjes ndaj urdhrit të policisë.